313Teknikë të kontrollit të procesit teknologjik

Grup i vogël · 8 Nëngrupe

Përshkrimi

Teknikët e kontrollit të procesit teknologjik monitorojnë komutatorët, makineritë dhe pajisjet e kompjuterizuara të sistemeve të kontrollit multifunksional. Ata mirëmbajnë njësitë e procesimit në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, në impiante të trajtimit të ujit të pijshëm dhe ujërave të ndotur, në fabrika kimike, në rafineri nafte dhe gazi natyror, në fabrika të prodhimit të metaleve dhe letrës, si edhe në ato të linjave të automatizuara. Ata mund të punësohen në ndërmarrje përpunimi dhe prodhimi industriale të cilat përdorin procese teknologjike të përmendura më sipër në veprimtarinë kryesore të tyre.

Detyrat kryesore

  • Riparojnë dhe mirëmbajnë pajisjet elektronike duke i rregulluar, testuar, kalibruar mbi bazat e parimeve mekanike, elektrike dhe elektronike;
  • Monitorojnë panele kontrolli të kompjuterizuara nga dhoma qendrore e kontrollit për të mbikëqyrur dhe optimizuar proceset e punës për disa njësi të ndryshme;
  • Manovrojnë pajisje kompjuterike duke përdorur sisteme të ndryshme kompjuterike për të programuar, instaluar programe kompjuterike, vendosur funksione të ndryshme, hedhur të dhëna ose për të procesuar informacion;
  • Kontrollojnë fillimin dhe mbylljen e procesit, avari të ndryshme potenciale dhe monitorojnë nga jashtë pajisjet e përfshira në proces;
  • Mbajnë dhe regjistrojnë informacionin e marre nga pajisjet dhe makineritë në regjistra të posaçëm;
  • Verifikojnë dhe ekzaminojnë pajisjet për ndonjë mosfunksionim të mundshëm, duke kryer teste rutinë dhe përgatitje për mirëmbajtjen dhe riparimin e tyre;
  • Ekzaminojnë strukturat, pajisjet dhe materialet për të identifikuar shkakun e gabimeve apo problemeve dhe defekteve të hasura;
  • Sigurojnë përputhshmërinë e aktiviteteve dhe proceseve me ligjet dhe rregullat në fuqi duke përdorur dhe analizuar informacionin e marrë nga pajisjet, personeli dhe mjedisi ku veprojnë;
  • Përgatisin raporte prodhimi dhe statistika sipas nevojave dhe kërkesave nga drejtuesit;
  • Respektojnë politikat e brendshme të punës dhe procedurat e hartuara nga ndërmarrja;
  • Zbatojnë kodin e etikës të miratuar nga drejtuesit;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet të ketë diplomë nga një shkollë e mesme profesionale në degë të teknologjisë së informacionit apo elektronikës.

Informacion shtesë

Me kryerjen e studimeve bachelor në një nga degët e Informatikës ose Inxhinierisë Elektronike Kontrollorët e linjave automatike të montimit mund të promovohen në Shefa departamentesh dhe me përvojë disavjeçare në Drejtues Ndërmarrjeje.

Në disa vende pune brenda këtij grupi, puna e tyre mund të kombinohet me mbikëqyrjen e personelit në profesione të tjera, të tilla si operatorët dhe montuesit e makinerive që janë pjesë e grupit të madh 8 në LKP. Për shembull, një kontrollues në njëfabrikë të përpunimit kimik i cili operon dhe mbikëqyr njësitë e përpunimit kimik dhe pajisjet nga një dhomë qendrore të kontrollit, si dhe mbikëqyr proceset kimike dhe operatorët e makinerive, duhet të klasifikohen në grupin 3134.

Grupet në këtë grup

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye