3135Teknikë të naftës dhe gazit natyror
Grup njësi · 18 profesione
Përshkrimi
Teknikët e naftës dhe gazit natyror mbështesin me asistencë teknike në çështjet që kanë të bëjnë me prodhimin e naftës dhe gazit, të tilla si monitorimi, rregullimi dhe mirëmbajtja e njësive dhe pajisjeve të procesimit që bëjnë rafinimin, distilimin dhe trajtimin e naftës, produkteve me bazë naftën dhe nënprodukte të saj ose gazit natyror. Ata/ato zbatojnë standardet operacionale dhe koordinojnë mbledhjen e të dhënave për eprorët. Ata/ato mbikëqyrin, monitorojnë dhe testojnë në terren pajisje dhe procese të prodhimit të naftës dhe gazit për ndryshime apo modifikime të nevojshme të pajisjeve dhe procesit të prodhimit. Ata/ato mund të punësohen si supervizor në kompani të nxjerrjes dhe përpunimit të naftës dhe gazit natyror ose në institucione mbikëqyrëse të këtyre proceseve.
Detyrat kryesore
- Manovrojnë panele kontrolli të kompjuterizuara nga dhoma qendrore e kontrollit për të monitoruar dhe optimizuar proceset fizike dhe kimike për disa njësi të ndryshme;
- Rregullojnë sipas rastit pajisjet të tilla si valvula, pompa si dhe pajisje të kontrollit dhe proceseve;
- Mbështesin personelin e terrenit për të administruar të dhënat e prodhimit;
- Parashikojnë dhe planifikojnë shpenzimet e prodhimit;
- Hartojnë grafikë prodhimi dhe analizojnë tendencat e prodhimit duke përdorur programe kompjuterike;
- Marrin pjesë në rishikimin e incidenteve dhe analizojnë sigurinë e punës në terren;
- Hartojnë, zhvillojnë dhe sigurojnë zbatimin e procedurave të proceseve të punës në terren;
- Kontrollojnë fillimin dhe mbylljen e procesit, avari të ndryshme potenciale dhe monitorojnë nga jashtë pajisjet e përfshira në proces;
- Verifikojnë dhe ekzaminojnë pajisjet për ndonjë mosfunksionim të mundshëm, duke testuar tubacionet e pusit për rrjedhje apo fraktura dhe marrin masa për riparimin e tyre;
- Analizojnë mostra produktesh duke kryer testime dhe ekzaminime, regjistrojnë; të dhënat në regjistrin përkatës;
- Kontrollojnë pastrimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve në mënyrë që të shmangen avaritë apo një dëmtim i parakohshëm i tyre;
- Respektojnë politikat e brendshme të punës dhe procedurat e hartuara nga Institucioni;
- Zbatojnë kodin e etikës të miratuar nga drejtuesit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet të ketë diplomë Bachelor apo kualifikim nga një shkollë e mesme profesionale. Në disa pozicione diplomë nga një shkollë e mesme e përgjithshme dhe eksperiencë pune disa vjeçare është gjithashtu e vlefshme.
Profesionet në këtë grup
- Gjeokimist
- Kipist (aparate matëse-kontrolluese)
- Teknik bashkues, rafinues i gazit natyror dhe naftës
- Teknik distilues, rafinues i gazit natyror dhe naftës
- Teknik i kontrollit të panelit/rafineri e gazit natyror dhe naftës
- Teknik i pompës së distilimit në rafineritë e gazit natyror dhe naftës
- Teknik i rafinerisë së gazit natyror dhe naftës
- Teknik i stacionit të pompimit të gazit natyror dhe naftës
- Teknik impiant pararafinimi
- Teknik përzierës, rafinues i gazit natyror dhe naftës
- Teknik të matjeve kanteriale të naftës dhe gazit natyror
- Teknik të pajisjeve të rafinimit të naftës dhe gazit natyror
- Teknik trajtues, desulfurues (rafinues i gazit dhe naftës)
- Teknik trajtues i gazit natyror dhe naftës
- Teknolog të mesëm të rafinimit të naftës dhe gazit natyror
- Teknik i proceseve të përpunimit të naftës
- Teknolog i proceseve të përpunimit të naftës
- Teknik i impianteve të gazit

