3133Teknikë të trajtimit të ujit dhe krematoriumeve /impianti i djegies së mbeturinave
Grup njësi · 22 profesione
Përshkrimi
Teknikët e trajtimit të ujit dhe furrave të djegies monitorojnë dhe manovrojnë sisteme kontrolli të kompjuterizuara dhe pajisje të veçanta në impiante të trajtimit të mbetjeve solide dhe likuide për të rregulluar trajtimin dhe shkarkimin e ujërave të ndotura dhe mbetjeve. Ata veprojnë gjithashtu në impiantet e trajtimit dhe filtrimit të ujit për të përmirësuar cilësinë dhe shpërndarjen e ujit. Ata mund të punësohen si operator (teknikë) në shoqëritë e ujësjellës kanalizime, të cilat janë përgjegjëse për impiantet e trajtimit të ujit të pijshëm dhe ujërave të ndotura.
Detyrat kryesore
- Manovrojnë, monitorojnë dhe mbikëqyrin sisteme, makineri dhe pajisje të tjera të kontrollit të kompjuterizuara për trajtimin e ujit të pijshëm, ujërave të ndotur në mënyrë që të rregullojnë rrjedhjen, trajtimin dhe shpërndarjen e ujit për konsum të popullatës dhe shkarkim në sisteme ujore natyrore;
- Kontrollojnë funksionimin e kaldajave të furrës me shumë vatra dhe pajisjeve të posaçme për djegien e llumit dhe mbetjeve të ngurta në impiantet e trajtimit të mbetjeve;
- Kontrollojnë pajisjet dhe mbikëqyrin kushtet e veprimit, matësit, filtrat, pajisjet e klorinimit dhe kalibratorët në dhomën qendrore të kontrollit për të përcaktuar parametrat e ngarkesës dhe për të verifikuar nëse rrjedhshmëria, presioni dhe temperatura janë brenda parametrave të caktuar dhe gjithashtu për të identifikuar avaritë;
- Monitorojnë dhe rregullojnë nivelin e kontrollit nga pajisje ndihmëse;
- Mbledhin dhe testojnë mostra të ujit dhe ujërave të ndotur për të identifikuar përmbajtje kimike apo bakteriale duke përdorur pajisje testuese dhe standarde analizash me ngjyrë;
- Analizojnë rezultatet e testimeve për të bërë rregullime të mundshme tek pajisjet e impiantit dhe sistemeve për të dezinfektuar dhe neutralizuar erën (aromën) e ujit dhe lëndëve të tjera;
- Kryejnë kontrolle sigurie në impiant dhe rreth tij;
- Plotësojnë regjistrat dhe raportet e funksionimit të impiantit;
- Respektojnë politikat e brendshme të punës dhe procedurat e hartuara nga Institucioni;
- Zbatojnë kodin e etikës të miratuar nga drejtuesit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik, të shkarkimit të plotave dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet të ketë diplomë nga një shkollë e mesme profesionale. Në disa raste diplomë nga një shkollë e mesme e përgjithshme dhe eksperiencë pune disa vjeçare është gjithashtu e vlefshme.
Informacion shtesë
Teknikët e pajisjeve të prodhimit të energjisë mund të marrin rritje në kategori nga Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial në varësi të vjetërsisë në punë dhe rezultateve të kontrollit;
Me kryerjen e studimeve bachelor në Inxhinieri Hidroteknike ose të Mjedisit ata kanë mundësinë të avancojnë në karrierë në pozicione si përgjegjës turni, Inxhinierë Trajtimi dhe Drejtues Impianti.
Profesionet në këtë grup
- Manovrator i prodhimit të akullit.
- Teknik frigoriferi
- Teknik i filtrit ujit
- Teknik i furrnaltës
- Teknik i furrës së djegies /krematoriumeve /impianti i djegies së mbeturinave
- Teknik i impiantit të ftohjes
- Teknik i impiantit të ngrohjes
- Teknik i impiantit të pastrimit të ujit
- Teknik i impiantit të trajtimit të ujit
- Teknik i impiantit të ujërave të zeza
- Teknik i kompresorit të ajrit
- Teknik i kompresorit të gazit
- Teknik i pajisjeve të ajrimit
- Teknik i rezervuarit të ujit
- Teknik i sistemit të ftohjes
- Teknik i stacionit të pompimit (përveç naftës dhe gazit natyror)
- Teknik i stacionit të pompimit të ujit
- Teknik trajtues uji
- Teknik krematoriumi (impianti i djegies së mbeturinave)
- Teknik i trajtimit të ujit industrial
- Teknik i procesit të trajtimit të mbetjeve të lëngshme
- Teknik i procesit të trajtimit të ujërave të zeza

