753Punonjës të tekstileve, të lëkurës, veshjeve dhe të ngjashme me to
Grup i vogël · 7 Nëngrupe
Përshkrimi
Punonjësit e punimeve të tekstilit, lëkurës dhe materialeve të tjera të ngjashme përgatisin fibrat natyrale të tekstilit, fijet e leshit nëpërmjet endjes, thurjes dhe mënyrave të tjera, kryejnë punimin, riparimin dhe përshtatjen e veshjeve me materiale të ndryshme tekstili, si dhe përpunojnë e përgatisin lëkurën dhe gëzofin për veshje apo artikuj të tjerë lëkure natyrale apo sintetike. Ata mund të punësohen në kompani të punimeve të tekstilit, lëkurës dhe materialeve të tjera të ngjashme apo të vetëpunësohen.
Detyrat kryesore
- Përgatitin fije tekstili, leshi, pambuku, liri, kërpi, fibra natyrale të tekstilit;
- Prodhojnë stofra, pëlhura me endje, thurje dhe teknika të tjera;
- Përgatisin veshje sipas modeleve dhe kërkesës së klientit;
- Bëjnë qëndisje dhe dekorime me dorë ose me makinë;
- Bëjnë prerje të materialeve të ndryshme të tekstilit;
- Bëjnë qepjen e ndryshme të materialeve tekstile;
- Bëjnë qepje dhe punime tapicerie;
- Bëjnë përpunimin e lëkurës dhe gëzofit për veshje apo artikuj të tjerë;
- Përgatitin dhe riparojnë këpucë, si dhe bëjnë punime galanterie për artikuj të tjerë lëkure;
- Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një punonjës tekstili, lëkure, veshje dhe të ngjashme me to mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivel inxhinier.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në fushën e tekstilit, lëkurës, veshjeve dhe të ngjashme me to duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet, “Operatorët dhe montuesit e pajisjeve dhe makinave të përpunimit të tekstilit e lëkurës” që kërkojnë përvojë dhe njohuri të veçanta, klasifikohen në Grupin Kryesor 8.
Profesionet elementare të natyrës së thjeshtë dhe rutinë, që përfshijnë punën me vegla të dorës dhe pak përpjekje fizike, me pak ose aspak përvojë dhe njohuri paraprake për punën klasifikohen në Grupin Kryesor 9.

