7534Qëndistarë

Grup njësi · 6 profesione

Përshkrimi

Qëndistari merret me dekorimin dhe zbukurimin e veshjeve dhe produktet e tjera të tekstilit, leshit, gëzofit, lëkurës dhe materialeve të tjera, riparon pjesë të dëmtuara të veshjeve dhe produktet e tjera të tekstilit, leshit me dorë, duke përdorur fije që përputhen me to në ngjyrë dhe përbërje. Ai punon kryesisht me dorë duke përdorur gjilpërë dhe grep etj. por mund të përdorë dhe makinë qepëse. Ai mund të punësohet në kompani shërbimesh të qëndistarisë, kompani të përpunimit të tekstilit, rrobaqepësi etj. ose të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Presin klientët në njësinë e vetë të shërbimit dhe marrin porosinë;
  • Parapërgatitin vendin e punës;
  • Kontrollojnë veglat, pajisjet e punës dhe bazën materiale;
  • Regjistrojnë makinën qepëse për qëndisje;
  • Përcaktojnë modelin e qëndisjes dhe llojin e punimit;
  • Llogaritin koston e punimit dhe përgatitin faturën;
  • Vizatojnë modelin e përcaktuar me parë;
  • Përgatitin modelin në letër kalk dhe e hedhin në copë me karbonçinë ose me shabllon;
  • Realizojnë qëndisjen e thjeshtë me kryq, me zbukurim, “punim site”, me tegela, me mbushje etj.;
  • Bëjnë regjistrimin e fijes sipas llojit të punimit;
  • Fiksojnë copën në gjergjef;
  • Qëndisin me fiston;
  • Realizojnë fiston me fije, me tegel, me zbukurim, me prerje;
  • Kryejnë prerje sipas modeli të zgjedhur;
  • Bëjnë lidhjen e hapësirës së prerë me kolona, me site, “hoje blete”;
  • Qëndisin me aplikacion;
  • Përgatitin copat e aplikacionit sipas modelit të përzgjedhur;
  • Vendosin aplikacionin mbi copë;
  • Realizojnë qëndisjen e aplikacionit dhe zbukurimet përkatëse;
  • Kryejnë pastrimin e fijeve;
  • Heqin fijet e copës në një drejtim për qëndisje me azhur;
  • Realizojnë azhurin me kolona, me zigzag, me fjongo etj.;
  • Realizojnë qëndisjen dekorative të modeleve në veshje apo materiale të tjera;
  • Kryejnë qepje të ndryshme;
  • Kryejnë punimet ndihmëse;
  • Bëjnë prerjen përfundimtare;
  • Lajnë dhe hekurosin copën e përfunduar;
  • Bëjnë bashkimin përfundimtar të copës;
  • Riparojnë pjesë të dëmtuar të veshjeve apo produkteve të tjera të tekstilit, leshit, lëkurës me dorë;
  • Përzgjedhin fijet sipas specifikave dhe ngjyrës së materialit të veshjeve apo produkteve të tjera;
  • Riparojnë defekte në artikuj të ndryshëm tekstili, duke përdorur gjilpëra dhe grep;
  • Tërheqin nyje në anët e gabuar e rrobave, duke përdorur grepa;
  • Kryejnë zbutje të lëkurës apo materialeve të tjera me ujë për t’i përgatitur për qepje;
  • Qepin apo kryejnë zbukurime dekorative në artikuj të tilla si kapele, këpucë etj.;
  • Qëndisin dhe dekorojnë veshje popullore;
  • Riparojnë punime qëndisjeje në produkte të tekstilit, gëzofit, lëkurës dhe materialeve të tjera me dorë apo me makinë;
  • Kryejnë qepjen e çadrave, tendave dhe artikujve të tjerë të ngjashëm;
  • Përdorin makina të ndryshme për qepje dhe qëndisje;
  • Bëjnë ambalazhimin e produktit;
  • Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
  • Mirëmbajnë veglat dhe pajisjet e punës;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimiprofesional në këtë fushë;
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një qëndistar mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në manaxheri në një njësi shërbimi.

Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivel inxhinierë tekstile.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: qëndistar, qëndistar me dorë, qëndistar me makineri, qëndistar me motive popullore, qëndistar veshjesh popullore etj.

Profesionet në këtë grup

  • Qëndistar
  • Qëndistar me dorë
  • Qëndistar me kompjuter
  • Qëndistar me makineri
  • Qëndistar me motive popullore
  • Qëndistar veshjesh popullore

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye