351Teknikë të proceseve të TIK dhe të mbështetjes së përdoruesve
Grup i vogël · 4 Nëngrupe
Përshkrimi
Teknikët e proceseve të TIK dhe të mbështetjes së përdoruesve merren me funksionimin dhe kontrollin e proceseve të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ku përfshihen rrjetet kompjuterike (LANs dhe WANs), harduerët, softuerët si dhe pajisjet që lidhen me kompjuterin, për të siguruar(garantuar) performancë maksimale. Ata identifikojnë dhe riparojnë probleme që lidhen me to, si dhe ofrojnë asistencë teknike për përdoruesit. Ata mund të punësohen në kompani të ndryshme që ofrojnë shërbime të TIK, në shoqëri tregtare që kanë reparte të shërbimit për përdorues të TIK dhe të vetëpunësohen.
Detyrat kryesore
- Përcaktojnë pajisjet që do të përdoren në bazë të proceseve të punës;
- Montojnë kompjuterin dhe pajisjet e nevojshme;
- Bëjnë instalimin e sistemeve operativë apo të softuerëve të nevojshëm;
- Bëjnë instalimet e pajisjeve periferike;
- Ndërtojnë rrjetin me ose pa kabull;
- Bëjnë testimin e linjave me tester dhe bëjnë dokumentimin e rrjetit;
- Bëjnë montimin e Access Point (A.P) ose përforcuesëve;
- Instalojnë dhe konfigurojnë A.P;
- Formulojnë strukturën e faqes ueb sipas kërkesave të klientit me të dhënat përkatëse ;
- Testojnë faqen ueb dhe bazën e të dhënave;
- Publikojnë faqen ueb në ueb space-in e klientit;
- Bëjnë modifikime periodike ose jo periodike të faqes ueb sipas kërkesave të klientit;
- Konfigurojnë sigurinë e sistemeve të komunikimit të informacionit;
- Kryejnë back-up periodik të sistemeve;
- Bëjnë kontrollin e pajisjeve të sistemit për gabime apo dëmtime dhe korrigjimin e gabimeve të mundshme të identifikuara;
- Bëjnë zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara apo pajisjeve që kanë kaluar afatin e përdorimit;
- Kryejnë riparime të vogla harduerë, softuerë dhe pajisjesh periferike;
- Mbajnë shënime për sistemet e komunikimit te informacionit si; transaksionet e përditshme, problemet dhe veprimet e ndërmarra për riparime apo instalime;
- Konsultojnë udhëzuesit e përdorimit, manuale teknike dhe dokumente të tjera të kërkimit për të gjetur zgjidhje të problemeve të hasura.
- Identifikojnë fushat që kanë nevojë për përmirësim të pajisjeve dhe softuerëve;
- Aktualizojnë licencat e kompjuterëve dhe të sistemit të operimit të rrjetave;
- Mirëmbajnë materialet e nevojshme të kompjuterit për përdorime të menjëhershme (si programe, softuerë, instruksione, disketa etj.), manualet, shënimet kronologjike të proceseve dhe inventarët e nevojshëm për veprime efikase;
- Këshillohen me personelin dhe me specialistë të nivelit më të lartë për mbarëvajtjen e punës;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
- Bëjnë preventivin për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i studimeve bachelor ose i një shkolle profesionale në këtë fushë;
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
- Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës. Me eksperiencë dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin teknik i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një teknik për mbështetjen e përdoruesve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier elektronik dhe informaticien.
- Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë teknikut për mbështetjen e përdoruesve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit i duhet regjistrim për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
- Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: teknik kompjuterësh, teknik rrjeti, teknik sistemesh, teknik të bazës së të dhënave, inxhinier kompjuterësh, inxhinier rrjeti, administrator rrjeti, administrator sistemi, administrator i bazës së të dhënave.

