3511Teknikë të proceseve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit

Grup njësi · 4 profesione

Përshkrimi

Tekniku i proceseve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit merret me funksionimin dhe kontrollin e proceseve të sistemeve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, ku përfshihen rrjetet kompjuterike (LANs dhe WANs), harduerët, softuerët si dhe pajisjet që lidhen me kompjuterin, për të siguruar(garantuar) performancë maksimale si dhe identifikon çdo problem lidhur me to. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme që ofrojnë shërbime të TIK, në shoqëri tregtare që kanë reparte të shërbimit për përdorues të TIK dhe të vetëpunësohen.

Detyrat kryesore

  • Montojnë pjesët harduer të kompjuterit;
  • Bëjnë instalimet e pjesëve harduerë;
  • Bëjnë instalimin e sistemeve operativë apo të softuerëve të nevojshëm;
  • Konfigurojnë sigurinë e kompjuterëve.
  • Përcaktojnë pajisjet që do të përdoren në bazë të proceseve të punës;
  • Montojnë pajisjet periferike;
  • Bëjnë instalimet e pajisjeve periferike;
  • Japin komandat hyrëse në kompjuterin terminal për të aktivizuar lidhjet me pajisjet periferike ;
  • Kontrollojnë pajisjet periferike që lidhen me kompjuterin;
  • Përzgjedhin materialet e duhura (si letër, disk etj.) për funksionimin e pajisjeve;
  • Japin udhëzimet e duhura për mënyrën e përdorimit të pajisjeve;
  • Kontrollojnë sistemet për gabime apo dëmtime të pajisjeve në përdorim;
  • Njoftojnë drejtuesin teknik ose teknikun e mirëmbajtjes për mosfunksionimin e pajisjes;
  • Mbikëqyrin funksionimin e pajisjeve periferike të riparuara prej operatorëve të pajisjeve periferike.
  • Korrigjojnë gabimet e mundshme të identifikuara;
  • Bëjnë zëvendësimin e pajisjeve të dëmtuara apo pajisjeve që kanë kaluar afatin e përdorimit;
  • Klasifikojnë të dhënat e marra nga përdoruesit;
  • Bëjnë rishpërndarjen e të dhënave (outputeve, përfundimeve ) tek përdoruesit e caktuar;
  • Përditësojnë njohuritë me informacionet e reja në fushën kompjuterike;
  • Identifikojnë fushat që kanë nevojë për përmirësim të pajisjeve dhe softuerë;
  • Aktualizojnë licencat e kompjuterëve dhe të sistemit të operimit të rrjetave;
  • Mirëmbajnë materialet e nevojshme të kompjuterit për përdorime të menjëhershme (si programe, softuerë, instruksione, disketa, etj.), manualet, shënimet kronologjike të proceseve dhe inventarët e nevojshëm për veprime efikase;
  • Këshillohen me personelin e teknikëve të nivelit më të lartë për mbarëvajtjen e punës;
  • Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i studimeve bachelor ose i një shkolle profesionale në këtë fushë;
  • Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

  • Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me eksperiencë dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një teknik i proceseve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier elektronik dhe informaticien.
  • Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë teknikut të proceseve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit i duhet regjistrim për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
  • Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: teknik kompjuterësh, teknik rrjeti, teknik sistemesh, teknik të bazës së të dhënave, inxhinier kompjuterësh, inxhinier rrjeti, administrator rrjeti, administrator sistemi, administrator i bazës së të dhënave.

Profesionet në këtë grup

  • Teknik i proceseve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit
  • Operator i pajisjeve periferike kompjuterike
  • Operator kompjuteri
  • Operator kompjuteri dhe printeri special ( të shpejtësive të mëdha)

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye