741Instalues dhe riparues të pajisjeve dhe rrjetit elektrike

Grup i vogël · 4 Nëngrupe

Përshkrimi

Instaluesit dhe riparuesit e pajisjeve dhe të rrjetit elektrik kryejnë detyrat teknike të lidhura me teknologjinë elektrike, përpunimin, montimin, ndërtimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e aparaturave, të pajisjeve elektrike, të linjave dhe sistemeve të shpërndarjes. Instalojnë, mirëmbajnë dhe riparojnë sistemet e rrjetit elektrik dhe të pajisjeve të ngjashme. Ata mund të punësohen në kompani të ndryshme elektrike, në reparte të mirëmbajtjes apo instalimeve elektrike apo të vetëpunësohen.

Detyrat kryesore

  • Kryejnë instalimet elektrike në objektet civile;
  • Bëjnë riparime në pajisjet elektro-shtëpiake;
  • Bëjnë zëvendësime të pjesëve të dëmtuara, duke përdorur vegla dore apo pajisje të specializuara për punime elektrike;
  • Kryejnë riparimin e pështjellave të pajisjeve elektrike;
  • Kryejnë mirëmbajtjen e linjave të tensionit të ulët dhe të lartë;
  • Riparojnë dhe mirëmbajnë pajisjet elektrike të tensionit të ulët dhe të lartë;
  • Kryejnë instalimin e pajisjeve dhe makinerive industriale;
  • Kryejnë shërbime të mirëmbajtjes periodike të sistemeve apo pajisjeve duke përdorur vegla dhe pajisje të nevojshme për këtë qëllim;
  • Kryejnë kontroll teknik, duke iu referuar parametrave të caktuar;
  • Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
  • Komunikojnë me të tjerët;
  • Zhvillojnë aftësitë profesionale;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
  • Librezë të sigurimit teknik.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, Instaluesi dhe riparuesi i pajisjeve dhe i rrjetit elektrik mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier elektrik

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në fushën elektroteknike duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Elektricist në objektet civile, në mirëmbajtjen e linjave të tensionit të ulët dhe të lartë, elektromontues, instalues dhe riparues të rrjetit elektrik, montues dhe riparues të pajisjeve elektrike, të pajisjeve elektro-shtëpiake.

Grupet në këtë grup

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye