7411Elektricistë në banesa dhe të tjerë të ngjashëm
Grup njësi · 19 profesione
Përshkrimi
Elektricisti në banesa dhe të tjerë të ngjashëm merren me ndërtim, montim, instalim dhe riparim të sistemit elektrik në ndërtesa të ndryshme civile, objekteve social kulturore apo industriale etj. Ai monton, instalon, riparon dhe mirëmban makineri dhe pajisjeve elektrike civile dhe industriale. Ai mund të punësohet në kompani ndërtim, shitjeje të artikujve elektrik, në reparte montimi dhe mirëmbajtjeje të makinerive industriale, në reparte shërbimesh dhe riparimesh elektrike, apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Shqyrtojnë projektet, skicat e instalimeve elektrike dhe specifikimet përkatëse;
- Ballafaqojnë projektin me objektin konkret në terren;
- Bëjnë preventivin e punimeve që do të kryhen;
- Kryejnë matjet e nevojshme në terren;
- Bëjnë preventivin e bazës materiale për punën që do të kryejnë;
- Sigurojnë bazën materiale të duhur për procesin e punës;
- Përcaktojnë radhën e punës dhe metodat e veprimit sipas projektit;
- Kontrollojnë vendin dhe pajisjet e punës duke marrë masa të sigurimit teknik;
- Përcaktojnë hyrjen kryesore të rrjetit elektrik në objekt;
- Bëjnë instalime ndihmëse, me kabull jashtë murit të cilat përdoren për ndriçimin e objektit, si dhe për marrjen e energjisë për makineritë dhe veglat e ndryshme të punës;.
- Bëjnë tokëzimin e objektit;
- Vendosin kutitë e automateve;
- Kryejnë lidhjen e automateve dhe releve mbrojtëse;
- Kryejnë hapjen e kanaleve;
- Bëjnë shtrimin e tubave dhe fiksimin e tyre;
- Fiksojnë kuadrin e automateve, kutitë shpërndarëse dhe kutitë për çelësa dhe priza;
- Kryejnë shtrimin e kolonës kryesore të energjisë elektrike;
- Kryejnë shtrirjen e përcjellësve në tuba;
- Montojnë pajisjet elektrike sipas projektit;
- Kryejnë punimet përfundimtare për instalimin e rrufepritësit;
- Kryejnë shtrimin e kolonës televizive, telefonisë dhe citogonisë;
- Bëjnë lidhjen e telave në kutitë shpërndarëse;
- Kryejnë montimin e çelësave, prizave dhe të automateve;
- Bëjnë vendosjen e gypave të citofonisë në apartamente;
- Bëjnë montimin e antenës dhe shpërndarësve televizivë;
- Kryejnë montimin e thirrjeve citofonike sipas abonentëve;
- Bëjnë ndarjen e linjave elektrike sipas abonentëve;
- Kryejnë matjet e nevojshme për kontrollin teknik të punimeve të kryera, duke iu referuar parametrave të caktuar teknik pa tension;
- Bëjnë kolaudimin përfundimtar të pajisjeve dhe aksesorëve të ndryshëm;
- Bëjnë kontrollin përfundimtar të objektit;
- Kryejnë provën përfundimtare me tension rrjeti;
- Bëjnë dorëzimin përfundimtar sipas projektit;
- Kryejnë inspektime të sistemit elektrik, pajisjeve dhe komponentëve për të identifikuar rreziqet, defekte dhe nevojën për rregullim apo riparim;
- Kryejnë rregullime apo riparime të sistemit elektrike, pajisjeve dhe komponentëve me defekte;
- Kryejnë shërbime të mirëmbajtjes periodike si (ndërrim çelësash, prizash, automatësh, releve së tensionit etj.);
- Bëjnë llogaritjet dhe plotësimin e faturës përkatëse për punën e kryer;
- Pastrojnë dhe mirëmbajnë vendin e mjetet e punës dhe i lënë ato në gjendje të gatshme për punë;
- Kryejnë instalimin e pajisjeve dhe makinerive industriale sipas projektit duke zbatuar skicat përkatëse të tyre;
- Realizojnë detyra të ngjashme;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
- Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një elektricist në banesa dhe të tjerë të ngjashëm mund të ndërmarrin disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier elektrik, inxhinier elektrik në transportimin e energjisë, inxhinier për ndriçim.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) ne fushën e elektrike duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: elektricist në banesa, elektricist në objekte industriale, elektricist për riparime në ndërtesa etj.
Profesionet në këtë grup
- Elektricist
- Elektricist i specializuar për tokëzim në ndërtesa
- Elektricist i specializuar për tokëzim të teknologjisë industriale
- Elektricist në minierë
- Elektricist në nënstacion elektrik
- Elektricist në rrjetin elektrik të shpërndarjes
- Elektricist për ndriçim në teatër
- Elektricist për instalime elektrike në ndërtesa
- Elektricist për linja të tensionit të lart
- Elektricist për linja të tensionit të ulët
- Elektricist për mirëmbajtje në ndërtesa
- Elektricist për mirëmbajtjen e sistemeve qendrore elektrike në ndërtesa
- Elektricist për ndërtesa
- Elektricist për ndriçim
- Elektricist për riparime në ndërtesa
- Elektricist për sigurimin teknik
- Elektricist për skena dhe studio
- Elektricist në nënstacionet elektrike për pajisjet primare
- Elektricist në nënstacionet elektrike për pajisjet sekondare

