722Farkëtarë, prodhues të veglave dhe punëtorë të tjerë të ngjashëm

Grup i vogël · 5 Nëngrupe

Përshkrimi

Farkëtarët, prodhuesit e veglave dhe punëtorë të tjerë të ngjashëm bëjnë punime të ndryshme të detaleve në gjendje të nxehtë. Duke përdorur stampat ai i jep detalit forma nga më të ndryshmet sipas vizatimit të punës. Ata punojnë me makinat lëmuese të llojeve të ndryshme si: frezë, retifik, pjalë, limatriçe, stokatriçe, bareno për të prodhuar dhe riparuar detale të ndryshme, sipas vizatimit teknik në përmasat, tolerancat dhe kushtet teknike të përshkruara për to duke kryer montimin e pajisjeve për kapjen e elementëve që do të përpunohen (produkt gjysmë i gatshëm), nivelimin dhe centrimin e tyre, kapjen, centrimin, shtrëngimin e elementëve që do të përpunohen në makinë apo pajisjet ndihmëse të tyre. Ata bëjnë lëmim, luçidim, smerilim, pastrim si dhe mprehje të instrumenteve dhe metaleve të ndryshme për punime të ndryshme, mirëmbajnë dhe kryejnë shërbime teknike të këtyre makinerive. Ata mund të punësohen në kompani të punimeve mekanike, ofiçina të makinave metalprerëse, në reparte të kovaçhanës, furrat e nxehjes së metaleve etj., apo të vetëpunësohen.

Detyrat kryesore

  • Bëjnë përgatitjen paraprake të vendit të punës (veglat, pajisjet, makineritë, kontrollon funksionimin e rregull të tyre);
  • Konsultohen me inxhinierët e repartit për detalin që do të prodhohet;
  • Parapërgatitin makineritë dhe pajisjet për punë dhe bëjnë kontrollin e transportierit të detalit nga furra në çekan;
  • Bëjnë përgatitjen e mashave për të mbajtur detalin;
  • Llogaritin shtesat e nevojshme në qoftë se duhen;
  • Përcaktojnë temperaturën e duhur të detalit që do përpunohet dhe kryejnë nxehjen e detalit në furrë;
  • Bëjnë rrahjen e detalit me çekiç pneumatik, me çekiç stampues, etj. duke i dhënë detalit formën sipas skicës;
  • Bëjnë punime të vogla duke përdorur çekiç dore, masha etj.;
  • Bëjnë trajtimin termik sipas llojit të metalit;
  • Kontrollojnë gjendjen teknike të makinerisë, tokëzimet mbrojtëse të saj funksionimin normal të nyjeve dhe mekanizmave përbërës të makinës;
  • Përgatitin makinerinë për punë, siguron pajisjet ndihmëse, atrecaturat, veglat matëse e kontrolluese, dokumentacionin teknik të projektit që do të realizohet etj.;
  • Bëjnë furnizimin me materialin gjysmë të gatshëm që do të përpunohet ose e përgatitin vetë atë, duke zgjedhur materialin që duhet për të prodhuar detalin;
  • Bëjnë skicime të detaleve që duhen prodhuar;
  • Bëjnë përgatitjen e atrecaturës së nevojshme për prodhim;
  • Bëjnë mprehjen e instrumenteve prerëse sipas gjeometrisë së teheve prerës;
  • Bëjnë riparime të detaleve të ndryshme duke njohur më parë llojin e materialit që do të punohet;
  • Kryejnë përpunimin mekanik të detaleve me heqje ashkle nga derdhja në fonderi apo rrahja në kovaçhanë, nga produktet e gatshme, si shufra çeliku, në tornim, shpim, zdrugimin, barenimin e të gjitha sipërfaqeve kopjuese;
  • Kryejnë filetime të sistemeve ISO, WITWORTH, si dhe matje të tyre;
  • Bëjnë planifikimin e bazës materiale të nevojshme për realizimin e projektit;
  • Bëjnë matjet dhe shënimet përkatëse mbi materialin metalik sipas projektit;
  • Bëjnë prerjet e elementëve metalik, profileve të hekuri, llamarinës etj.;
  • Kryejnë procesin e formimit (kthimin, përkuljen) të profileve të prera, llamarinës etj.;
  • Kryejnë shpimet e nevojshme për bashkimin apo montimin e konstruksionit metalik;
  • Kryejnë bashkimin e elementeve metalik sipas mënyrave dhe kushteve teknike të paraqitura në projekt (saldim, përçin, vida, bulona, etj.);
  • Kontrollojnë saktësinë e montimeve sipas kushteve të projektit;
  • Kryejnë punime axhusterie dhe rregullime përfundimtare duke përdorur vegla pajisje apo makineritë e nevojshme për këto punime;
  • Bëjnë fiksimin e instrumentit prerës;
  • Kryejnë përpunimin paraprake të materialit sipas radhës së punës të procesit teknologjik;
  • Kryejnë montimin e pajisjeve dhe instrumenteve të duhura për punimet që do të kryej;
  • Kryejnë matje të shpeshta për të kontrolluar saktësinë e punimeve në detal me pajisjet matëse përkatëse(kalibër, mikrometër, indikator, komperator etj.);
  • Kryejnë punime plotësuese sipas skicës së detalit;
  • Bëjnë kolaudimin përfundimtar të detalit sipas kushteve teknike të skicimit;
  • Bëjnë dorëzimin e detalit duke plotësuar fletë-garancinë e kryerjes së punimeve sipas kushteve teknike të kërkuara;
  • Bëjnë shërbime periodike të makinave, nëpërmjet lubrifikimit të nyjeve të rëndësishme, regjistrimit të pajisjeve ndihmëse, riparimit të dëmtimeve të shkaktuara gjatë punës;
  • Bëjnë rimonte të makinave metal prerëse duke njohur më parë pjesët kryesore të saj;
  • Realizojnë detyra të ngjashme;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier mekanik, metalurg.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë shërbimi duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: farkëtar, formist, axhustator, prodhues të instrumenteve dhe veglave, punëtorë dhe montues të makinerive metal prerëse, punëtorë dhe montues të makinerive të tjera, frezatorë lëmues dhe mprehës të instrumenteve.

Grupet në këtë grup

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye