7224Punëtorë dhe montues të makinerive të tjera
Grup njësi · 4 profesione
Përshkrimi
Punëtori dhe montuesi i makinerive të tjera kryen përshtatjen, montimin, instalimin, mirëmbajtjen dhe riparimin e ashensorëve, elevatorëve industrial e makinerive të tjera duke bashkëpunuar me inxhinierë të tjerë dhe duke zbatuar parametrat dhe standardet e paracaktuara. Ai kryen matje të ndryshme para e pas montimit apo riparimit të defekteve. Ai mund të punësohet në kompani të shërbimeve të montimit apo mirëmbajtjes së ashensorëve, elevatorëve industrial e makinerive të tjera apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Parapërgatitin vendin e punës;
- Ndjekin instruksionet teknike të montimit dhe riparimit të pajisjes;
- Këshillohen me inxhinierin zbatues të objektit për makinerinë që do të montojnë dhe kërkesat e projektit;
- Bëjnë kontrollin e objektit ku do të bëhet montimi i ashensorit, elevatorit apo ndonjë lloj tjetër makinerie;
- Kryejnë matjet teknike të duhura të pusit të ashensorit apo vendit ku do të montohet elevatori;
- Bëjnë preventivin e të gjitha pajisjeve dhe mjeteve të duhura për montim duke bashkëpunuar me inxhinierë të tjerë;
- Bëjnë montimin e guidave (shinave) ku montohet ashensori;
- Kryejnë montimin e platformës dhe kundrapeshës në rastin e ashensorit elektrik;
- Kryejnë montimin e platformës dhe pistonit në rastin e ashensorit hidraulik;
- Montojnë motorin e ashensorit sipas planimetrisë dhe standardeve të paracaktuara;
- Bëjnë instalimet elektrike dhe sistemin e ndriçimit të ashensorit;
- Kryejnë sistemin e ndriçimit të sallës së makinerive (komandimit);
- Bëjnë instalimin e ndriçimit të emergjencës për rastin e fikjeve të dritave;
- Bëjnë vënien e impiantit në lëvizje me anë të pultit (në tira);
- Bëjnë montimin e dyerve të katit;
- Kryejnë montimin e kabinës dhe operatorit të dyerve;
- Bëjnë vendosjen e butonave të kateve si dhe të kabinës;
- Bëjnë kontrollin e valvulave në zbritje të ashensorit;
- Bëjnë kontrollin e presionit të motorit në ngjitje të ashensorit.
- Bëjnë riparimin e defekteve në rastin kur pjesët nuk janë shumë të dëmtuara dhe pranojnë riparim;
- Kryejnë zëvendësimin e pjesëve të dëmtuara në rastet kur pjesët janë të dëmtuara dhe nuk pranojnë riparim ose kostoja e riparimit nuk është ekonomike;
- Bëjnë vajosjen, grasatimin e kavove, volantit të motorit;
- Bëjnë riparimin e sistemit të lubrifikimit në rastin e ashensorit hidraulik;
- Bëjnë mirëmbajtjen periodike, duke ndjekur një grafik që bazohet në orët e punës;
- Kryejnë kontrollin e mekanizmit të uljes dhe ngritjes së ashensorit;
- Kryejnë kontrolle me aparatura sinjalizuese për përcaktimin e defektit;
- Bëjnë matjen e kabllove të tensionit;
- Kryejnë kontrolle teknik, duke iu referuar parametrave të caktuar;
- Kryejnë matje të ndryshme për pajisjet përkatëse për identifikimin e problemeve të dala;
- Bëjnë matjen e baterive që përdoren për ulje emergjente;
- Bëjnë lyerje me bojë, stukime, axhustime të ndryshme për dëmtime të vogla;
- Kryejnë shërbime të mirëmbajtjes periodike të sistemeve apo pajisjeve, duke përdorur vegla dhe pajisje të nevojshme për këtë qëllim;
- Koordinojnë punën e tyre me punën e inxhinierëve, teknikëve dhe personelit tjetër të mirëmbajtjes;
- Raportojnë në mënyrë periodike te eprorët;
- Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
- Mbajnë shënime për mirëmbajtjen dhe riparimin e kryera gjatë punës;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në këtë profesion si ndihmës. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor dhe montues i makinerive të tjera mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel specialisti e manaxheri. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin e inxhinierit.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Montues dhe mirëmbajtës ashensori, montues elevatori automat për mbushje dhe ambalazhim të produkteve ushqimore, montues elevatori për transport industrial, në miniera etj.
Profesionet në këtë grup
- Montues dhe mirëmbajtës ashensori
- Montues elevatori automat për mbushje dhe ambalazhim të produkteve ushqimore
- Montues elevatori për transport industrial
- Montues elevatori për transport në miniera

