7225Frezatorë, lëmues dhe mprehës të instrumenteve

Grup njësi · 11 profesione

Përshkrimi

Frezatori, lëmuesi dhe mprehësi i instrumenteve punon me makinat lëmuese të llojeve të ndryshme si: frezë, retifik, pjalë, limatriçe, stokatriçe, bareno etj. Punëtori i makinave lëmuese prodhon dhe riparon detale të ndryshme, bën lëmim, luçidim, smerilim, pastrim si dhe mprehje të instrumenteve dhe metaleve të ndryshme sipas vizatimit teknik në përmasat, tolerancat dhe kushtet teknike të përshkruara për to. Ai mirëmban dhe kryen shërbime teknike të këtyre makinerive. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme që kanë bazë mekanike, që prodhojnë dhe riparojnë detale të ndryshme ose të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Komunikojnë me kolegët për porositë e marra nga klientët;
  • Zbërthejnë skicimin e detalit sipas specifikimeve për formën, madhësinë dhe shkallën e ashpërsisë që duhet të ketë materiali apo detali;
  • Bëjnë preventiv për porositë e marra;
  • Kontrollojnë gjendjen teknike të makinerisë, tokëzimet mbrojtëse të saj, funksionimin normal të nyjeve dhe mekanizmave përbërës të saj;
  • Përgatitin makinerinë për punë;
  • Sigurojnë pajisjet ndihmëse, veglat e punës, veglat matëse e kontrolluese, dokumentacionin teknik të nevojshëm etj.;
  • Kryejnë sigurimin e bazës materiale të nevojshme për punë;
  • Përzgjedhin materialin(parafabrikatin) që duhet të punojnë;
  • Zgjedhin instrumentet e punës, sipas hapave të punimeve që do të ndjekin;
  • Bëjnë vendosjen në morsë të detalit që do të punojnë. (kur detali është i vogël, për procesin e lëmimit);
  • Bëjnë vendosjen e detalit në banko në rastin e detaleve të mëdha, ku instrumenti prerës rri në vend, ndërsa detali lëviz së bashku me bankon (pjalimi);
  • Bëjnë fiksimin e instrumentit prerës;
  • Kryejnë përpunimin paraprak të materialit sipas radhës së punës të procesit teknologjik;
  • Kryejnë vendosjen e gurit në motor në rastet e retifikimit dhe mprehjes së instrumenteve;
  • Kryejnë zhvendosjen e kokës së pajisjes sipas këndit që ka detali;
  • Kryejnë matje të shpeshta për të kontrolluar saktësinë e punimeve në detal;
  • Kryejnë matjen e përmasave të detalit me pajisjet matëse përkatëse (kalibër, mikrometër, indikator, komperator etj.);
  • Kryejnë punime plotësuese sipas skicës së detalit;
  • Bëjnë përfundimin e detalit sipas specifikimeve teknike të tij;
  • Bëjnë kolaudimin përfundimtar të detalit sipas kushteve teknike të skicimit;
  • Bëjnë dorëzimin e detalit tek klienti;
  • Monitorojnë operacionet e ndryshme në makinë për të përcaktuar rregullimet e nevojshme;
  • Plotësojnë fletë-garancinë e kryerjes së punimeve sipas kushteve teknike të kërkuara;
  • Bëjnë shërbime periodike të makinave, nëpërmjet lubrifikimit të nyjeve të rëndësishme, regjistrimit të pajisjeve ndihmëse, riparimit të dëmtimeve të shkaktuara gjatë punës;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas, nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një frezator, lëmues dhe mprehës i instrumenteve mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier mekanik.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme si tornitor, frezator, axhustator, retifikator etj.

Përdor veglat dhe pajisjet e duhura për punimet që do të kryejë.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Profesionet në këtë grup

  • Frezator
  • Lëmues metalesh
  • Luçidues metalesh
  • Mprehës instrumentesh dhe veglash
  • Mprehës instrumentesh për makineritë metalprerëse
  • Mprehës metalesh
  • Pastrues metalesh
  • Përfundues metalesh
  • Seleksionues për artikuj metalikë të derdhur
  • Riparues sharrash
  • Smerilues metalesh

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye