721Fonditorë, saldatorë, punëtorë llamarine, përgatitës të konstruksioneve metalike, etj.

Grup i vogël · 5 Nëngrupe

Përshkrimi

Fonditori, saldatori, punëtori llamarine, përgatitësi i konstruksioneve metalike, etj. merren me përgatitjen dhe derdhjen e formave prej metali sipas kushteve teknike dhe specifikave të kërkuara. Ata merren me prodhimin, instalimin, montimin dhe riparimin e artikujve prej llamarina dhe pjesëve të tyre prej çeliku, bakri, bronzi, alumini, zinku, hekurit të galvanizuar, etj. Ata përpunojnë, presin, kthejnë, harkojnë, bashkojnë dhe montojnë ose saldojnë elementët e artikujve të tillë në fusha të ndryshme të industrisë, transportit, ndërtimit, minierave, etj.

Ata mund të punësohen në kompani të ndryshme të industrisë mekanike ose në kompani që kanë bazë mekanike, furra të shkrirjes dhe derdhjes së metalit etj., apo dhe të vetëpunësohen.

Detyrat kryesore

  • Konsultohen me teknologun për markën e metalit që do të derdhet;
  • Përcaktojnë markën e rikuperit që futet në furrë;
  • Llogaritin ngarkesat e furrës;
  • Llogaritin shtesat e nevojshme, në se duhen;.
  • Bëjnë rregullimin e përbërjes kimike të metalit sipas rezultateve të laboratorit;
  • Përcaktojnë temperaturën e duhur të metalit për tu derdhur dhe derdhin metalin;
  • Bëjnë trajtimin termik sipas llojit të metalit;
  • Bëjnë formën sipas kushteve të metalit në forma të njoma apo të thata;
  • Përcaktojnë formën dhe bëjnë përgatitjen e dheut, zemrave (sipas detalit);
  • Bëjnë derdhjen e metalit sipas kërkesave teknike;
  • Bëjnë pastrimin nga rëra, nga spresorët, nga depozitave dhe rrugëve ushqyese për normalizimin e funksionimit, duke larguar tensionet në furra me temperaturë më të ulët;
  • Dërgojnë metalin për punim mekanik;
  • Bëjnë studimin e projektit të dhënë dhe zbërthimin në elementë përbërës për përgatitjen e artikujve të llamarinës, për përgatitjen e konstruksioneve dhe strukturave metalike;
  • Llogaritin koston dhe bëjnë preventivin përkatës;
  • Sigurojnë bazën materiale të nevojshme për realizimin e projektit;
  • Bëjnë përgatitjen paraprake të vendit të punës (veglat, pajisjet, makineritë, duke kontrolluar funksionimin e tyre);
  • Bëjnë matjet dhe shënimet përkatëse mbi fletët e llamarinës apo mbi materialin metalik sipas projektit;
  • Bëjnë prerjet e llamarinës apo të materialit metalik;
  • Kryejnë kthimin, harkimin e elementëve të prerë të llamarinës, apo të materialit metalik;
  • Dërgojnë materialin (llamarinën) apo materialet e tjera metalike në repartin e përpunimit me tranxhë-pikatriçe;
  • Kryejnë shpimet e nevojshme për bashkimin apo montimin e llamarinës apo të materialit metalik;
  • Kryejnë bashkimin e elementeve sipas mënyrave dhe kushteve teknike të kërkuara në projekt (saldim, përçin, vida, bulona, etj.);
  • Kontrollojnë saktësinë e montimeve sipas kushteve teknike të projektit;
  • Kryejnë punime axhusterie dhe rregullime përfundimtare duke përdorur vegla, pajisje apo makineritë e nevojshme për këto punime;
  • Bëjnë pastrimin e sipërfaqeve me letër zmeril, furçe teli etj.;
  • Kryejnë lyerjen e llamarinës apo të materialit metalik me bojëra kundër ndryshkut dhe korrozionit në se është e nevojshme;
  • Kryejnë punimet përfundimtare plotësuese sipas kërkesës së projektit në artikujt e llamarinës apo të konstruksionit metalik;
  • Bëjnë studimin e llojit të materialit që do të saldojnë dhe zgjedhin elektroda të saldimit, në varësi të materialit, në rastin e saldimit me hark elektrik;
  • Bëjnë përgatitjen e gjeneratorit të saldimit dhe regjistrimin e amperazhit të tij në varësi të trashësisë të materialit;
  • Bëjnë pastrimin e detalit/objektit me furçe teli;
  • Bëjnë pikimin e detalit/objektit dhe vendosjen në skuadër të tij;
  • Bëjnë zmusimin e detalit/objektit dhe pastrimin e tij me instrumente abraziv;
  • Bëjnë saldimin e plotë të detalit/objektit;
  • Montojnë litarë çeliku dhe kabllo metalike;
  • Bëjnë riparime të artikujve prej llamarine dhe konstruksioneve metalike kur është e nevojshme;
  • Bëjnë dhe riparojnë enë kuzhine dhe artikuj të tjerë dekorativ llamarine, bakri etj.;
  • Bëjnë zbukurues të ndryshëm mbi artikujt e prodhuar;
  • Kryejnë lustrimin dhe shkëlqimin e këtyre artikujve;
  • Bëjnë dhe riparojnë kaldaja, kazanë për ngrohjen e ujit, vaska dhe kontejnerë të tjerë të ngjashëm;
  • Instalojnë dhe riparojnë pjesë të llamarinës dhe struktura metalike të automjeteve, anijeve, aeroplanëve etj.;
  • Bëjnë kolaudimin përfundimtar të konstruksionit sipas kushteve teknike të projektit;
  • Bëjnë dorëzimin artikujve të prodhuar dhe plotësimin e dokumenteve teknike dhe të garancisë së punimeve;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;

Kërkesat

  • Zakonisht për këtë profesion kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në këtë profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale e teknike apo trajnimit nëpërmjet punës mund të marrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier metalurg, inxhinier mekanik, etj.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si; fonditor dhe përgatitës të formave, saldator dhe prerës të metaleve, punëtor llamarine, përgatitës të konstruksioneve metalike dhe të ngjashëm, montues të kavove të çelikut dhe kabllove metalike.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit

Grupet në këtë grup

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye