7213Punëtorë llamarine

Grup njësi · 17 profesione

Përshkrimi

Punëtori i llamarinës merret me prodhimin, instalimin dhe riparimin e artikujve dhe pjesëve të këtyre artikujve prej llamarina siç janë llamarinë çeliku, bakri, bronzi, alumini, zinku, hekurit të galvanizuar, etj. Ai përpunon, pret, kthen, harkon, bashkon dhe monton elementët e artikujve të tilla për fusha të ndryshme të industrisë, transport, ndërtim, minierë etj. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme që merren me përpunimin e llamarinës apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Konsultohen me kolegët për porositë e marra nga klientët;
  • Bëjnë studimin e projektit të dhënë për përgatitjen e artikujve të llamarinës;
  • Bëjnë zbërthimin në elementë përbërës të projektit të dhënë;
  • Bëjnë skicimin e nevojshëm sipas kërkesës, rastit;
  • Llogaritin koston dhe bëjnë preventivin përkatës;
  • Bëjnë planifikimin e bazës materiale të nevojshme për realizimin e projektit;
  • Sigurojnë bazën materiale sipas preventivit;
  • Përzgjedhin materialin që duhet të punojnë sipas trashësisë (spresorit);
  • Bëjnë përgatitjen paraprake të vendit të punës (veglat , pajisjet, makineritë, kontrollon funksionimin e tyre);
  • Bëjnë matjet dhe shënimet përkatëse mbi fletët e llamarinës sipas projektit;
  • Bëjnë prerjet e llamarinës;
  • Kryejnë kthimin, harkimin e elementëve të prerë të llamarinës etj.;
  • Dërgojnë materialin (llamarinës) në repartin e përpunimit me tranxhë-pikatriçe;
  • Kryejnë shpimet e nevojshme për bashkimin apo montimin e llamarinës;
  • Kryejnë bashkimin e elementeve sipas mënyrave dhe kushteve teknike të kërkuara në projekt (saldim, përçin, vida, bulona, etj.);
  • Kontrollojnë saktësinë e montimeve sipas kushteve teknike të projektit;
  • Kryejnë punime axhusterie dhe rregullime përfundimtare duke përdorur vegla pajisje apo makineritë e nevojshme për këto punime;
  • Bëjnë pastrimin e sipërfaqeve me letër zmeril, furçe teli etj.;
  • Kryejnë lyerjen e llamarinës me bojëra kundër ndryshkut dhe korrozionit në se është e nevojshme;
  • Kryejnë punimet përfundimtare plotësuese sipas kërkesës së projektit në artikujt e llamarinës;
  • Bëjnë dorëzimin e artikujve të prodhuar dhe plotësimin e garancisë së punimeve;
  • Bëjnë riparime të artikujve të llamarinës kur është e nevojshme;
  • Bëjnë dhe riparojnë enë kuzhine dhe artikuj të tjerë dekorativ llamarine, bakri etj.;
  • Bëjnë zbukurues të ndryshme mbi artikujt e prodhuar;
  • Kryejnë lustrimin dhe shkëlqimin e këtyre artikujve;
  • Bëjnë dhe riparojnë kaldaja, kazanë për ngrohjen e ujit, vaska dhe kontejnerë të tjerë të ngjashëm;
  • Instalojnë dhe riparojnë pjesë të llamarinës së automjeteve, anijeve, aeroplanëve etj.;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor llamarine mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier mekanik.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në fushën e shërbimit metalik duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: saldator, punëtor fletësh metalike për automobila, punëtor fletësh metalike për pajisje shtëpiake, punëtor fletësh metalike për zbukurime, punëtor fletësh metalike për qepena, riparues të artikujve prej llamarine.

Profesionet në këtë grup

  • Kthyes fletësh metalike
  • Përkulës fletësh metalike
  • Punëtor fletësh metalike
  • Punëtor fletësh metalike për automobila
  • Punëtor fletësh metalike për avionë
  • Punëtor fletësh metalike për enë mbajtëse
  • Punëtor fletësh metalike për konserva
  • Punëtor fletësh metalike për pajisje shtëpiake
  • Punëtor fletësh metalike për zbukurime
  • Punëtor fletësh metalike për qepena
  • Punues boilierash/kazanësh
  • Shënues për fletë metalike
  • Vendosës dhe riparues të paneleve metalike në avionë
  • Veshës me fletë metali për anije
  • Punues enësh bakri
  • Teneqepunues
  • Punues ulluqesh llamarine

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye