321Teknikë në mjekësi dhe farmaceutikë
Grup i vogël · 4 Nëngrupe
Përshkrimi
Teknikët e mjekësisë, farmaceutikës dhe veterinarisë kryejnë një sërë detyrash teknike që ndihmojnë në parandalimin e sëmundjeve të shëndetit publik, nëpërmjet kujdesit të shëndetit të kafshëve, testimit të parametrave të shëndetit të pacientëve nëpërmjet kampioneve të marra nga fluide të trupit të njeriut, këshillimin e pacientëve dhe shpërndarjen dhe përgatitjen e barnave dhe përgatesave galenike. Ata mund të punësohen në qendra të kujdesit të shëndetit të njerëzve, kafshëve shtëpiake, në farmaci dhe laboratorë analizash mjekësore. Gjithashtu, ata mund të punësohen edhe në institucione shtetërore të inspektimit, ruajtjes dhe këshillimit të publikut për shëndetin.
Detyrat kryesore
- Testojnë dhe përdorin pajisjet radiografike, me ultratinguj dhe të tjera për të marrë imazhe mjekësore që ndihmojnë në diagnostikimin e pacientëve;
- Kryejnë rrezatime me anë të pajisjeve të caktuara për trajtimin e pacientëve për të trajtuar apo zbuluar sëmundje shëndetësore;
- Kryejnë teste dhe analiza të fluidëve të trupit për të përcaktuar parametrat mjekësorë të pacientëve;
- Bëjnë përgatesa galenike, në bazë të recetës së mjekut, nën mbikëqyrjen e drejtuesit teknik.
- Këshillojnë klientët për përdorimin e barnave apo produkteve të caktuara në rast mungese të udhëzimit mjekësor (recetës);
- Këshillojnë komunitetin dhe individët mbi trajtimin e kafshëve dhe të sëmundjeve e dëmtimeve të tyre;
- Kryejnë vizita të kafshëve që paraqiten në klinikë/spital duke i vizituar për të diagnostikuar sëmundjen;
- Zbatojnë planin e trajtimit të kafshëve të përcaktuar nga veterineri;
- Kujdesen dhe mirëmbajnë pajisjet imazherike, testuese dhe mjetet e punës duke i pastruar periodikisht dhe sterilizuar ato që janë të nevojshme;
- Zbatojnë me përpikmëri kodin e etikës mjekësore profesionale;
- Zbatojnë kodin e etikës së institucionit/klinikës;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Për të hyrë në këtë profesion preferohet diploma bachelor në një nga degët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike, Fakultetit të Veterinarisë dhe Farmacisë;
- Të ketë njohuri për përdorimin e programeve kompjuterike;
- Të jetë i përgjegjshëm dhe i komunikueshëm.
Informacion shtesë
Ky është një grup profesionesh të rregulluara me ligj;
Individët që duan të hynë në një nga profesionet e këtij grupi duhet të kalojnë provimin e shtetit pas diplomimit nga Fakulteti përkatës dhe më tej kanë mundësinë të licencohen nga Urdhrat e Infermierit, Farmacistit dhe/ose Mjekut.

