63Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare
Nëngrup i madh · 4 Nëngrupe
Përshkrimi
Prodhuesit e produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare planifikojnë, organizojnë dhe kryejnë operacione bujqësore për të kultivuar produkte bujqësore, produkte blegtorale, varietete të përziera, produkte të peshkimit për nevoja familjare. Ata mbjellin, kultivojnë, korrin apo vjelin varietete të kulturave bujqësore. Kujdesen për rritjen, mbarështimin, shumimin e gjësë së gjallë; si kafshët shtëpiake, një thundrakët, delet, derrat, dhitë, kuajt, qentë, macet, shpendët, etj. që do të përdoren për punë, për mish, qumësht, lesh, lëkurë dhe produkte të tjera, për përdorime vetjake. Ata kultivojnë gjallesa ujore në rezervate të përshtatshme apo peshkojnë në bregdet, lumenj dhe liqene. Ata prodhojnë një shumëllojshmëri të produkteve bujqësore dhe blegtorale për nevoja familjare. Ata mund të punësohen në kompani prodhimesh dhe shërbimesh bujqësore, blegtorale apo të vetëpunësohen.
Detyrat kryesore
- Përgatitin tokën për mbjellje dhe kryejnë mbjelljen e farave dhe kalemave në parcela fushe apo sera sipas llojit, kushteve dhe kërkesave të tyre;
- Kryejnë shërbimet e nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e kulturave bujqësore (vaditjen, prashitjen, heqjen e barërave të këqija dhe gjetheve të thara, plehërimin krasitjen, spërkatjen me pesticide);
- Krijojnë kushtet e përshtatshme në sera (hijezim, ajrim, ngrohje, lagështi) sipas llojit të bimëve;
- Kryejnë vjelje apo korrjen e prodhimit bujqësor (fruta, perime etj.) për nevoja familjare;
- Mbledhin bimët mjekësore, fruta të egra etj;
- Kryejnë magazinimin dhe ruajtjen e tyre në kushtet e duhura;
- Bëjnë konservime të produkteve bujqësore dhe blegtorale;
- Prodhojnë një shumëllojshmëri të produkteve bujqësore dhe shtazore për nevoja familjare;
- Kujdesen për rritjen, mbarështimin, shumimin e kafshëve, shpendëve, bletëve etj;
- Kujdesen për ushqimin dhe ujin e gjësë së gjallë sipas kategorive dhe gjendjes fiziologjike të tyre;
- Kryejnë mjeljen e gjësë së gjallë (lopë, dele, dhi) me dorë apo me mjete të mekanizuara;
- Kujdesen për rritjen e të vegjëlve të tyre;
- Japin ndihmën e parë me mjekime paraprake në raste të disa sëmundjeve të veçanta;
- Kryejnë pastrimin dhe dezinfektimin e ambientit dhe vendqëndrimit të gjësë së gjallë;
- Kryejnë therjen e kafshëve apo shpendëve për mish apo lëkurë;
- Kryejnë peshkim në bregdet, lumenj dhe liqene;
- Kultivojnë gjallesa ujore në rezervate të përshtatshme për rritjen e tyre;
- Gjuajnë kafshë të egra për nevoja familjare;
- Blejnë, ruajnë dhe mirëmbajnë makineritë dhe pajisjet e punës;
- Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
- Ruajnë llojshmërinë e florës dhe faunës;
- Ruajnë dhe mirëmbajnë veglat e punës;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet një kualifikim profesional në këtë fushë.
- Të ketë eksperienca të njëjta ose të ngjashme me këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

