532Punonjës të kujdesit personal në shërbimet shëndetësore
Grup i vogël · 4 Nëngrupe
Përshkrimi
Punonjës të kujdesit personal në shërbimet shëndetësore ofrojnë kujdes dhe ndihmesë për lëvizjen e individëve në aktivitete të përditshme, për të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara në qendra të shërbimit shëndetësor apo në ambiente rezidenciale.
Detyrat kryesore
- Ndihmojnë pacientët në lëvizjet e tyre, për kujdesin e tyre personal dhe për nevoja të komunikimit;
- Sterilizojnë pajisjet kirurgjikale si edhe pajisjet e instrumentet e tjerë të nevojshëm për shërbim;
- Raportojnë shqetësimet tek personat kompetentë të shërbimeve mjekësore apo sociale;
- Përgatitin pacientët për kontroll dhe trajtim mjekësor duke marrë pjesë edhe në planifikimin për përkujdesjen individuale të tyre;
- Ndihmojnë në përkujdesjen e përditshme të të moshuarve dhe individëve me aftësi të kufizuara;
- Japin ndihmë nga dita në ditë në shtëpi të individëve të sëmurë duke bërë pastrimet e rregullimet, përgatitjet e ushqimeve dhe psonisjen;
- Përgjigjen për administrimin e ilaçeve të mjekimit nëpërmjet komunikimit dhe nën mbikëqyrjen e infermieres apo mjekut përkatës;
- Përgjigjen për trajnimin e pacientëve apo të familjarëve të afërm në mënyrë që ata të bëhen të aftë të shërbejnë në nivelin e duhur gjatë kohës së regjimit në shtrat;
- Ndihmojnë të moshuarit, personat me aftësi të kufizuar me aktivitetet e nevojshme të jetës së përditshme, në shtëpi apo në ambiente të tjera përkujdesjeje;
- Mbajnë shënim ecurinë e përditshme të pacientit, regjistrojnë shërbimet e afruara ndaj tij, raportojnë tek eprorët ndryshimet mbi gjendjen etj;
- Zbatojnë rregullat në mbrojtje të mjedisit dhe shëndetit të njerëzve;
- Zbatojnë rregullat e etikës në vendin e punës;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik në punë.
Kërkesat
- Të ketë kualifikim adekuat profesional në këtë fushë.
- Të njohë problematikën e pacientit dhe të dijë të vlerësojë nevojat e tij.
- Të njohë proceset e pastrimit në shtëpi, mënyrën e ushqimit dhe higjienën personale.
- Të jetë i saktë në ndërhyrjet për të dhënë ndihmën e duhur në shtëpi pacientit.
- Të njohë shërbimet dhe burimet që gjenden në komunitetin përkatës.
- Të dijë të vlerësojë personelin dhe programin e manaxhimit përkatës.
- Të njohë kulturën dhe zakonet e zonës apo familjes së individit të cilit i shërben.
- Të njohë legjislacionin bazë, politikat dhe praktikat në lidhje me shërbimin që kryen.
- Të ketë aftësi të punojë në grup dhe të punojë në mënyrë të pavarur në mungesë të mbikëqyrjes.
- Të ketë aftësi analitike, mbikëqyrëse dhe të japë zgjidhje të problemit me të cilin ndeshet, sipas rastit.
- Të ketë komunikim të mirë me gojë dhe me shkrim si edhe të jetë i/e aftë të marrë vendimin e duhur në kohën e duhur.
- Të dijë të menaxhojë kohën dhe stresin gjatë punës.
- Të ketë njohuri bazike në lidhje me manaxhimin financiar.
- Të zotërojë dije dhe të tregojë ndjeshmëri mbi kulturën e klientit të cilit i shërben, të respektojë ndryshimet kulturore.
- Të jetë person me karakter të qëndrueshëm dhe të tregojë etikë të lartë në punë.
- Të jetë e/i dashur dhe e/i kuptueshëm me pacientët dhe e/i aftë të punojë me efektivitet në situata të ndryshme.
Informacion shtesë
Niveli i mesëm i shkollimit është i domosdoshëm, por përfundimi i niveleve më të larta në këtë profil jep shumë përparësi në punësim.
Eksperienca fitohet gjatë punës, por trajnimet dhe kualifikimet në këtë fushë janë shumë të rëndësishme.
Trajnimet mund të jenë në fushën e mënyrës së ushqyerit, higjienës personale dhe kontrollit të infeksionit.
Shpesh punëmarrësit i kërkohet vërtetim në lidhje me gjendjen fizike dhe dëshmi mbi rastet e shkeljeve ligjore.
Puna vullnetare në këtë fushë jep shumë favor në punësim.
Marrja e certifikatave prej trajnimit nga struktura të njohura dhe të miratuara nga hierarkia shtetërore jep përparësi për punësim të qëndrueshëm në këtë profesion.

