5321Asistentë të kujdesit shëndetësor në institucione shëndetësore
Grup njësi · 8 profesione
Përshkrimi
Asistentë të kujdesit shëndetësor ofrojnë ndihmesë të drejtpërdrejtë personale ndaj pacientëve që gjenden në spitale, klinika dhe në objekte të tjera të kujdesit për shëndetin, ndihmon në raste emergjente, merr të dhënat e klientëve si edhe kryen veprime te tjera në shërbim të pacientëve.
Detyrat kryesore
- Ofrojnë shërbimet bazë për trajtimin e sëmundjeve dhe çrregullimeve të shëndetit;
- Ndjekin pacientët sipas udhëzimeve dhe planit të trajtimit të kryer nga profesionistët e kujdesit shëndetësor;
- Ndihmojnë pacientët për kujdesin personal dhe terapeutik si higjienën personale dhe parandalimin e sëmundjeve bazë;
- Ndihmojnë dhe këshillojnë pacientët për dietën ushqimore, veshjen, ushtrimet fizike, komunikimin me njerëzit, marrjen e medikamenteve nga goja etj;
- Vendosin pacientët në pozicionin e duhur duke i kthyer e rrotulluar apo i lëvizin ata nëpërmjet karrocave apo krevateve me rrota;
- Ruajnë e mbajnë standardet e kërkuara të higjienës në dhoma si edhe ndërrojnë çarçafët sipas një plani të caktuar;
- Matin temperaturën e pacientit, nivelin e frymëmarrjes, pulsin dhe peshën e tij;
- Bëjnë masazh dhe veprime të tjera ndihmuese jo-farmakologjike;
- Shoqërojnë pacientët drejt sallave të vizitave/operacionit;
- Përgatitin dhomat e ndihmës së shpejtë për raste urgjente;
- Lajmërojnë personelin e kualifikuar për ndihmë dhe asistencë në raste nevoje;
- Zbatojnë rregullat e mbrojtjes së mjedisit;
- Zbatojnë rregullat e etikës në vendin e punës;
- Zbatojnë rregullat e sigurisë teknike në mbrojtje të jetës së njerëzve.
Kërkesat
- Të ketë kualifikim profesional në fushën përkatëse.
- Të ketë qëndrim miqësor ndaj pacientëve.
- Të jetë e/i orientuar drejt përkujdesjes shëndetësore për pacientët.
- Të kuptojë dhe të respektojë pacientët.
- Të tregojë gatishmëri për ndihmë ndaj pacientëve.
- Të tregojë takt dhe zgjuarsi në veprimet ndaj pacientit.
- Të dijë të punojë bazuar në iniciativën e vetë si edhe të jetë pjesë e ekipit.
- Të krijojë besueshmëri dhe të ketë sens humori.
Informacion shtesë
Ky profesion kërkon vullnet dhe durim të veçantë në trajtimin e klientit.
Eksperienca të mëparshme jetësore, sidomos ato vullnetare, japin përparësi për punësim dhe qëndrueshmëri të mbajtjes së pozicionit të punës.
Profesionet në këtë grup
- Asistent lindjes (klinikë apo spital)
- Ndihmës infermierie (klinikë apo spital)
- Asistent kujdesin e pacientit
- Ndihmës psikiatrik
- Pritës vizitash
- Shoqërues në spital
- Ndihmës mami
- Ndihmës infermier

