5322Punonjës të kujdesit personal në shtëpi
Grup njësi · 5 profesione
Përshkrimi
Punonjës të kujdesit personal në shtëpi ofrojnë shërbime të kujdesit personal dhe ndihmë në veprimtarinë e përditshme të jetesës për personat të cilët janë në nevojë për një kujdes të tillë, për shkak të efekteve të moshës, të sëmundjeve, dëmtimeve të ndryshme ose të problemeve të tjera fizike apo mendore, në shtëpitë e tyre apo në qendra të tjera rezidenciale.
Detyrat kryesore
- Ndihmojnë pacientët për kujdesin personal dhe terapeutik në shërbime të tilla si higjiena personale, ushqimi, veshja, lëvizshmëria dhe ushtrimet fizike, aspekte të komunikimit, marrja e medikamenteve në gojë, si dhe ndërrimin e veshjes, zakonisht sipas planeve të shërbimeve të kujdesit të përcaktuara nga një profesionist shëndetësor;
- Regjistrojnë shërbimet e kujdesit ndaj klientit, ndryshimet në gjendjen e tij/saj, si dhe reagimin ndaj trajtimeve dhe shërbimeve të kujdesit;
- Pozicionojnë dhe lëvizin klientët me probleme në lëvizshmërisë fizike, duke ndihmuar në transportin e tyre në karrige me rrota dhe mjete motorike;
- Ofrojnë mbështetje emocionale, informacion dhe këshilla për klientët dhe familjet e tyre mbi tema të tilla si të ushqyerit, higjiena, ushtrimet fizike, kujdesi për foshnjat etj ose si duhet të përshtaten me gjendjen e aftësisë së kufizuar ose sëmundjen;
- Ruajnë e mbajnë standardet e kërkuara të higjienës në dhoma si edhe ndërrojnë çarçafët, lajnë veshjet dhe enët etj;
- Sigurojnë mbështetje psikologjike për klientët të tilla si nëpërmjet bashkëbisedimit ose leximit me zë të lartë;
- Planifikojnë, blejnë, përgatisin ose shërbejnë ushqim për të përmbushur kërkesat ushqyese dhe dietat e përcaktuara;
- Ofrojnë mbështetje për prindërit dhe kujdesen për të sapolindurit në periudhën pas lindjes;
- Përcaktojnë takime me mjekë dhe profesionistë të tjerë të shëndetit dhe shoqërojnë klientët ne to;
- Kërkojnë ndihmë dhe asistencë në raste nevoje;
- Zbatojnë rregullat e mbrojtjes së mjedisit;
- Zbatojnë rregullat e etikës në vendin e punës;
- Zbatojnë rregullat e sigurisë teknike në mbrojtje të jetës së njerëzve.
Kërkesat
- Të ketë qëndrim miqësor ndaj klientëve.
- Të jetë e/i orientuar drejt përkujdesjes shëndetësore për klientët.
- Të kuptojë dhe të respektojë klientët.
- Të tregojë gatishmëri për ndihmë ndaj klientëve.
- Të tregojë takt dhe zgjuarsi në veprimet e saj/tij.
- Të dijë të punojë bazuar në iniciativën e vetë si edhe të jetë pjesë e ekipit.
- Të krijojë besueshmëri dhe të ketë sens humori.
Informacion shtesë
Eksperienca të mëparshme jetësore, sidomos ato vullnetare, të japin përparësi për punësim dhe qëndrueshmëri të mbajtjes së pozicionit të punës.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Ndihmës infermiere në shtëpi
- Shoqërues në vizita/shtëpie
- Ndihmës kujdesi në shtëpi
- Asistent i lindjes në shtëpi
- Ofrues të kujdesit personal

