312Përgjegjës (mbikëqyrës) në miniera, prodhim dhe ndërtim
Grup i vogël · 3 Nëngrupe
Përshkrimi
Përgjegjësit e prodhimit (mbikëqyrësit) sigurojnë mbarëvajtjen e të gjithë procesit të prodhimit. Ata planifikojnë, organizojnë, mbikëqyrin dhe kontrollojnë punën e përditshme në lidhje me planet e prodhimit, personelit, pajisjet e makineritë, bazën materiale, llogaritjen e kostos apo kohës së punësetj. Përgjegjësit e prodhimit përgatitin dokumentacione apo raporte të ndryshme dhe bashkëpunojnë me punëtorët, kontrollorët e cilësisë apo dhe drejtues të tjerë të prodhimit. Ata orientojnë, udhëzojnë apo trajnojnë personelin për procese të ndryshme pune gjatë prodhimit. Ai mund të punësohet në kompani të shërbimeve të prodhimit apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Planifikojnë punën e përditshme në lidhje me planet e prodhimit, personelit, pajisjet e makineritë, bazën materialeetj.;
- Organizojnë punën e përditshme në përputhje me planifikimet e bëra dhe teknologjitë përkatëse të prodhimit;
- Kryejnë punë parapërgatitore për proceset e prodhimit (p.sh. përgatitje shablloni etj.);
- Organizojnë proceset e prodhimit, duke identifikuar hapat dhe burimet e nevojshme për procesin e prodhimit;
- Përcaktojnë planin e prodhimit dhe hapat përkatëse të procesit të prodhimit;
- Përzgjedhin makineritë dhe pajisjet e duhura për proceset e ndryshme të punës;
- Llogaritin kohën për çdo proces të prodhimit, koston apo të dhënat e tjera të nevojshme;
- Kryejnë ndarjen e punës për çdo punonjës;
- Identifikojnë mungesën e personelit ose të komponentëve duke marrë masat e duhura në raste të tilla;
- Orientojnë dhe udhëzojnë personelin për procese të ndryshme pune gjatë prodhimit ose kryejnë trajnimin e personelit të ri;
- Bashkërendojnë dhe mbikëqyrin veprimtarinë teknike të procesit të kontrollit, mirëfunksionimin e makinerive dhe pajisjeve të prodhimit;
- Mbikëqyrin ecurinë e procesit të prodhimit, duke kërkuar zbatimin e standardit të cilësisë dhe zgjidhjen e problemeve që dalin gjatë procesit të prodhimit;
- Përdorin dhe përgatitin dokumentacion teknik, si dhe raporte apo dokumente të tjera;
- Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
- Komunikojnë dhe bashkëpunojnë, me eprorët dhe vartësit, në mënyrë profesionale;
- Mbikëqyrin punëtorë të tjerë;
- Identifikojnë dhe zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe mbrojtjes së shëndetit në punë;
- Respektojnë rregullat e sigurimit teknik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i studimeve bachelor ose një shkolle profesionale në këtë fushë;
- Të ketë 2 vjet përvojë të mëparshme në fazat ndryshme të prodhimit;
- Të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës. Me eksperiencë dhe me kualifikim të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një përgjegjës prodhimi (mbikëqyrës) mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel drejtues prodhimi. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin e inxhinierit në fushat përkatëse të prodhimit.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrim për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Përgjegjës për përpunimin e konfeksioneve, përgjegjës për përpunimin e lëkurës, përgjegjës për përpunimin e letrës, përgjegjës për përpunimin e metaleve, përgjegjës për përpunimin e plastikës, përgjegjës për përpunimin e tekstileve, përgjegjës për përpunimin e produkteve ushqimore etj.

