3123Përgjegjës ndërtimi
Grup njësi · 7 profesione
Përshkrimi
Përgjegjësit e ndërtimit sigurojnë mbarëvajtjen e proceseve të punës në ndërtim. Ata planifikojnë, organizojnë, mbikëqyrin dhe kontrollojnë punën e përditshme në lidhje me personelin, zbërthimin e projektit apo ndjekjen e zbatimit të tij në objekt, pajisjet e makineritë, bazën materiale, llogaritjen e kostos apo kohës së punës etj. Përgjegjësit e ndërtimit përgatitin dokumentacione apo raporte të ndryshme dhe bashkëpunojnë me punëtorët e ndërtimit, inxhinierë apo dhe drejtues të tjerë teknik. Ata orientojnë, udhëzojnë të tjerët për procese të ndryshme të punës dhe bëjnë dorëzimin e punimeve të kryera duke e dokumentuar atë. Ata mund të punësohen në kompani të shërbimeve të ndërtimit, të mirëmbajtjes së ndërtesave apo të vetëpunësohen.
Detyrat kryesore
- Marrin detyrat ditore nga inxhinieri i zbatimit për procese të ndryshme në ndërtim apo mirëmbajtje ndërtesash;
- Kryejnë matjet e nevojshme në objekt;
- Planifikojnë punën e përditshme në lidhje me projektin, personelin e nevojshëm, pajisjet e makineritë, bazën materiale etj.;
- Organizojnë proceset e punës, duke identifikuar hapat dhe burimet e nevojshme për to;
- Bëjnë ndarjen e specialistëve dhe punëtorëve sipas procesit të punës së ndërtimit apo të mirëmbajtjes së ndërtesave;
- Përzgjedhin makineritë dhe pajisjet e duhura për proceset e ndryshme të punës;
- Bëjnë gati listën e materialeve të punës për proceset e ndryshme që kryejnë;
- Bëjnë zbërthimin e projektit dhe u japin specialistëve ndihmën e nevojshme për kryerjen e procesit të punës;
- Identifikojnë mungesat e punëtorëve apo specialistëve duke marrë masat e duhura në raste të tilla;
- Kryejnë inventar të herëpashershëm për përgatitjen e porosisë së materialeve të nevojshme për punë;
- Orientojnë dhe udhëzojnë punëtorët apo specialistët për procese të ndryshme pune në ndërtim apo mirëmbajtje ndërtesash;
- Bashkërendojnë dhe mbikëqyrin veprimtarinë teknike të procesit të kontrollit dhe mirëfunksionimit të makinerive dhe pajisjeve të punës;
- Mbikëqyrin ecurinë e procesit, duke kërkuar zbatimin e standardit të cilësisë, zbatimin e punimeve në proceset vijuese në përputhje me projektin dhe specifikimet e marra nga inxhinieri i zbatimit;
- Kryejnë zgjidhjen e problemeve të dala gjatë procesit të ndërtimit apo mirëmbajtjes së ndërtesave në bashkëpunim me inxhinierët e tjerë të objektit;
- Kryejnë kontrollin paraprak në fund të çdo procesi duke u siguruar që gjithçka të jetë në përputhje me projektin, përpara se inxhinieri i zbatimit të marrë në dorëzim procesin e kryer;
- Mbajnë shënim në mënyrë kronologjike të gjithë proceset ose riparimet e kryera në kohë në objekt;
- Bëjnë dorëzimin e punimeve të kryera tek inxhinieri i zbatimit, duke firmosur dhe procesverbalin përkatës të marrjes në dorëzim të procesit respektiv;
- Përdorin dhe përgatitin dokumentacion teknik, si dhe raporte apo dokumente të tjera;
- Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
- Komunikojnë dhe bashkëpunojnë me eprorët dhe vartësit në mënyrë profesionale;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Identifikojnë dhe zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe mbrojtjes së shëndetit në punë;
- Respektojnë rregullat e sigurimit teknik dhe mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i studimeve bachelor ose i një shkolle profesionale në këtë fushë;
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion;
- Të ketë 3 vjet përvojë të mëparshme në ndërtim;
- Të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
- Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës. Me eksperiencë dhe me kualifikim të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një përgjegjës ndërtimi mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel drejtues teknik ndërtimi. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin e inxhinierit të ndërtimit, arkitekt.
- Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrim për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
- Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Përgjegjës për armaturë, përgjegjës për mirëmbajtje ndërtesash, përgjegjës për muratorë, përgjegjës sektori në ndërtim, përgjegjës të tjerë në ndërtim etj.
Profesionet në këtë grup
- Përgjegjës për armaturë
- Përgjegjës për mirëmbajtje ndërtesash
- Përgjegjës për muraturë
- Përgjegjës sektori në ndërtim
- Përgjegjës të tjerë në ndërtim
- Administrator pallati
- Manaxher kantieri

