261Specialistë në fushën ligjore
Grup i vogël · 3 Nëngrupe
Përshkrimi
Specialistët në fushën ligjore kryejnë kërkime mbi problemet ligjore, japin këshilla ligjore klientëve në një shumëllojshmëri të subjekteve, hartojnë dokumente ligjore, përfaqësojnë dhe mbrojnë klientët para gjykatave të niveleve të ndryshme apo bordeve administrative në raste e shkeljeve civile apo penale. Ata/ato interpretojnë dhe zbatojnë rregullat e procedurat ligjore në fuqi dhe marrin vendime në lidhje me pranueshmërinë e provave dhe fakteve të paraqitura në gjykatë, duke studiuar çështjet ligjore dhe duke argumentuar vendimet e marra, si dhe këshillojnë përmirësime, modifikime, hartime dhe përgatitje të kuadrit ligjor ekzistues. Ata/ato mund të punësohen në institucione publike apo private të drejtësisë të niveleve të ndryshme, në institucione të tjera që aplikojnë shërbime ligjore apo të vetëpunësohen.
Detyrat kryesore
- Studiojnë parimet ligjore, statutet dhe vendimet e mëparshme gjyqësore që lidhen me raste të veçanta;
- Mbledhin prova për të formuluar një mbrojtje apo për të filluar veprime ligjore;
- Mbrojnë rastet e klientëve përpara gjykatave të niveleve të ndryshme dhe bordeve administrative;
- Negociojnë në emër të individit apo organizatës në çështjet që përfshijnë konteste ligjore;
- Japin këshilla ligjore klientëve, bizneseve apo institucioneve të tjera;
- Interpretojnë dhe zbatojnë legjislacionin në fuqi dhe procedurat përkatëse dhe marrin vendime në lidhje me pranueshmërinë e provave;
- Vlerësojnë, duke marrë parasysh provat në gjykime dhe vendosin për shkeljet ligjore, pafajësinë apo për shkallën e përgjegjësisë së të akuzuarit apo të pandehurit;
- Drejtojnë gjyqet dhe seancat gjyqësore;
- Shpallin gjykimin dhe marrin vendime në gjykata;
- Kryejnë hartimin e dokumenteve ligjore të tilla si kontratat, testamente, autorizime të përgjithshme apo të posaçme, transaksionet e pasurive etj.;
- Këshillojnë në përmirësimin, hartimin dhe përgatitjen e rregulloreve të legjilacionit ekzistues;
- Kryejnë verifikimin e nënshkrimeve, dokumenteve si dhe kopjeve të dokumenteve;
- Përgatitin artikuj, raporte shkencorë dhe materiale të tjera statistikore;
- Komunikojnë me profesionalizëm me eprorë, kolegë dhe të tjerë;
- Respektojnë politikat e brendshme dhe procedurat e hartuara nga organizata;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një diplome universitare.
- Të jetë i aftë mendërisht.

