9412Ndihmës në kuzhinë
Grup njësi · 3 profesione
Përshkrimi
Ndihmësi në kuzhinë kryen pastrimin dhe sistemimin e tavolinave apo ambienteve të kuzhinës pastrimin, larjen e enëve dhe pajisjeve që përdoren në kuzhinë, pastrimin, larjen, prerjen, matjen dhe peshimin e parapërgatitjen e përbërësit të ushqimeve që do të gatuhen duke zbatuar udhëzimet e shefit të kuzhinës dhe kuzhinierit. Ai kryen detyra të tjera për të ndihmuar punëtorët që përgatisin ose shërbejnë ushqim dhe pije. Ai mund të punësohet në restorante, kuzhina, fast-food, në kompani të tjera që ofrojnë shërbime të përgatitjes dhe shërbimit të ushqimeve apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Parapërgatitin vendin e punës;
- Pastrojnë kuzhinën, ambientet e përgatitjes së ushqimit dhe ato të shërbimit;
- Ndihmojnë shefin e kuzhinës dhe kuzhinierin në përgatitjen e ushqimit;
- Kryejnë larjen e përbërësve të gatimit duke zbatuar rregullat përkatëse sipas llojit;
- Kryejnë heqjen e lëkurës të produkteve që do të gatuhen kur është e nevojshme;
- Kryejnë prerjen e përbërësve të gatimit duke zbatuar rregullat përkatëse sipas llojit dhe udhëzimeve të shefit të kuzhinës dhe kuzhinierit;
- Kryejnë matje dhe peshime të përbërësve që do të gatuhen sipas recetës së dhënë;
- Kryejnë përzierjen e përbërësve sipas udhëzimeve të shefit të kuzhinës dhe kuzhinierit duke përdorur pajisjet e duhura;
- Montojnë enët apo pajisjet që do të përdoren për gatim apo për shërbim;
- Kryejnë sistemimin dhe magazinimin e furnizimeve në frigoriferë, dollapë dhe ambiente të tjera të magazinimit;
- Lajnë enët apo pajisjet e tjera të përdorura dhe i vendosin në vendet e tyre përkatëse;
- Kryejnë përgatitjen, gatimin dhe ngrohjen e artikujve të thjeshtë ushqimorë;
- Raportojnë te eprorët për punën e bërë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i arsimit të detyruar.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin kuzhinierit. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një ndihmës në kuzhinë mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel shefit të kuzhinës. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në Hoteleri-Turizëm arrin në nivelin e manaxherit të pijeve dhe ushqimit dhe manaxher turizmi.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: larës enësh me dorë, ndihmës në kuzhinë, punëtor kuzhine, asistent në kuzhinë, punëtor magazine ushqimesh.
Profesionet në këtë grup
- Larës enësh me dorë
- Ndihmës në kuzhinë
- Punëtor kuzhinë

