9313Punëtorë të ndërtimit të banesave
Grup njësi · 7 profesione
Përshkrimi
Punëtori i ndërtimit të banesave ndërton, mirëmban dhe riparon ndërtesat dhe strukturat e tjera duke përdorur teknika dhe materiale tradicionale apo moderne të ndërtimit nën mbikëqyrjen e teknikëve apo inxhinierëve të ndërtimit si p.sh; kashtë, baltë, dërrasë, shtylla por dhe ndërtime të tjera betoni apo parafabrikate. Ai kryen procese të ndryshme pune si; prishje muresh, hapje kanalesh, përgatitje betoni, transport materialesh të ndryshme, pastrim dhe sistemim materialesh etj. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme ndërtimi, në shoqëri tregtare që kanë reparte të shërbimit për ndërtim dhe të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Konsultohen me inxhinierë, topografë apo teknikë të tjerë për ndërtimin e banesave;
- Përgatitin terrenin për ndërtimin e banesave apo strukturave të tjera;
- Bëjnë përgatitjen e veglave të punës, sipas proceseve të punës që do të kryejnë;
- Bëjnë përgatitjen e materialeve të punës;
- Bëjnë transportimin e materialeve të punës në vendin e përcaktuar më parë nga specialisti përkatës;
- Kryejnë mbërthim apo çmontim të konstruksioneve të ndryshme metalike apo duro-alumini;
- Ndihmojnë specialistët për të mbajtur apo mbërthyer pajisje të ndryshme në objekt;
- Bëjnë prishje muresh të ndryshme prej tulle, suva etj.:
- Bëjnë prishje muresh, tavane si dhe ndarëse të tjera prej gipsi;
- Bëjnë largimin e mbeturinave të ndryshme të krijuara gjatë punës në objekt;
- Kryejnë heqjen e pllakave të dyshemesë si dhe pllakat e veshjeve;
- Bëjnë çmontimin e trarëve të ndryshëm në objekt;
- Bëjnë pastrimin e trarëve, si dhe lyerjen e tyre me vaj të posaçëm;
- Bëjnë stivosjen e trarëve sipas gjatësisë, trashësisë në vende të caktuara;
- Bëjnë gati vendin për përpunimin e gëlqeres;
- Bëjnë hedhjen e gëlqeres në vendin e përgatitur;
- Bëjnë shkrirjen e saj me ujë për t’u përdorur sipas një kohe të përcaktuar më parë nga specialisti;
- Ndihmojnë në ngritjen e shkallëve, skelave dhe të platformave të ndryshme të punës;
- Bëjnë gërmime, hapin kanale, themele duke përdorur kazmë, lopatë apo vegla të ndryshme dore;
- Shtrojnë dhe nivelojnë bazën kryesore për formimin e bazës së betonit;
- Përziejnë betonin sipas markës së caktuar me ndihmën e makinerive përzierëse;
- Mirëmbajnë dhe riparojnë strukturat ekzistuese;
- Mbikëqyrin të tjerët:
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i arsimit të detyruar.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një ndërtues banesash mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse në nivel tekniku ndërtimi banesash. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier ndërtimi, arkitekt. Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë ndërtuesit të banesave i duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Punëtor krahu në ndërtim godinash
- Punëtor krahu për mirëmbajtje godine
- Punëtor krahu për shembje
- Punëtor krahu stivues në ndërtim godine
- Punëtor krahu transport materialesh ndërtimi
- Ndihmës murator
- Punëtor llaçi

