9311Punëtorë në miniera e gurore
Grup njësi · 12 profesione
Përshkrimi
Punëtori në miniera e gurore merret me ngarkim-shkarkimin dhe transportin e mineralit dhe të sterilit, në nëntokë dhe në sipërfaqe, duke zbatuar rregullat e sigurimit teknik dhe urdhrin e përgjegjësit të tij. Ai mund të kryej edhe punë të tjera ndihmëse në frontin e tij të punës, si dhe pastrimin e vendit të punës e të makinerive dhe pajisjeve të përdorura gjatë proceseve të punës. Ai mund të punësohet në kompani minerare të sipërfaqes dhe nëntokës apo në vendet e depozitimit të mineralit.
Detyrat kryesore
- Zbatojnë urdhrat e përgjegjësit të ndërresës;
- Bëjnë ngarkim-shkarkimin e mineralit dhe të sterilit;
- Kryejnë seleksionimin e mineralit;
- Kryejnë kontrollin teknik të makinerisë, gjendjen teknike të vagonëve, zinxhirëve, së bashku me hallkat lidhëse, para fillimit të punës;
- Përdorin pajisjet për mbrojtjen individuale gjatë punës në minierë;
- Kryejnë punime ndihmëse gjatë proceseve të montimit dhe çmontimit të pajisjeve në minierave;
- Kryejnë pastrimin e makinerive, pajisjeve apo veglave të punës;
- Kryejnë pastrimin e rrugëve dhe gjurmëve të transportimit;
- Heqin mbeturinat dhe materialet e tjera të padobishme në zonat e punës, ku aktiviteti i nxjerrjes së mineralit ka përfunduar;
- Kryejnë sistemimin e mineralit apo të sterilit në vendet e depozitimeve;
- Pastrojnë dhe mirëmbajnë gardërobën e punëtorëve dhe vendet e punës;
- Përdorin pajisje të thjeshta dore për ngarkim-shkarkimin dhe transportin e mineralit dhe të sterilit;
- Kryejnë punë të tjera ndihmëse në frontin e tyre të punës;
- Ruajnë mjetet e punës, materialet dhe furnizimet që përdoren nga punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e ruajtjes së mjedisit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik;
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i arsimit të detyruar.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor në miniera e gurore mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel manaxheri në një njësi shërbimi. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier miniere.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si; ndihmës minator, ndihmës armator, manovrues vagonësh, punonjës pastrimi në gardërobë, roje në minierë etj.
Profesionet në këtë grup
- Punëtor krahu në gurore
- Punëtor krahu në minierë
- Ndihmës minator
- Ndihmës armator
- Manovrues vagonësh
- Punonjës pastrimi në gardërobë
- Roje në minierë
- Seleksionues në minierë
- Tërheqës, mbajtës shtyllash në gurore
- Tërheqës shtyllash në gurore
- Punëtor krahu miniere në nëntokë
- Punëtor qymyri

