9215Punëtorë pyjesh
Grup njësi · 5 profesione
Përshkrimi
Punëtori i pyjeve kryen detyra të thjeshta dhe rutinë për kultivimin dhe ruajtjen e pyjeve natyrore dhe plantacion, si hapje gropash për mbjelljet e reja, prerjet, pastrimin, stivosjen, ngarkim dhe shkarkim të materialit drusor me krahë, mirëmbajtjen e rrugëve pyjore, etj. Punëtori i pyjeve mund të punësohet në sektorët të shërbimeve, në subjektet private, kompanitë që kryejnë punime në pyje apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Kryejnë punime të ndryshme për krijimin e plantacioneve të reja;
- Realizojnë hapjen e gropave sipas piketimit të bërë;
- Realizojnë transportin e fidanëve me krah apo mjete të tjera;
- Kryejnë shërbime të nevojshme gjatë verës (prashitje, vaditje, plehërime);
- Kryejnë ngarkim dhe shkarkim të materialit drusor me krahë;
- Ndërtojnë skelën e ngarkimit të trupave;
- Pastrojnë pyllin nga shkurret e tepërta dhe të dëmshme;
- Heqin degët e thyera apo të thara nga pemët;
- Kryejnë pastrimin e trungjeve të pemëve;
- Mbledhin fara për mbjelljen e fidanëve të ardhshëm;
- Kryejnë procesin e damkimit të materialit drusor sipas udhëzimeve të dhëna;
- Mbrojnë pyjet nga zjarret dhe nga dëmtues të tjerë;
- Kryejnë procesin e stivimit të trupit, si dhe stivon drutë e zjarrit sipas përmasave të përcaktuara dhe udhëzimeve të dhëna;
- Realizojnë pastrimin e grumbullimin e mbeturinave për sipërfaqen e punuar;
- Ruajnë fidanishten nga dëmtuesit e ndryshëm;
- Realizojnë proceset e tjera si vaditjen, heqjen e barërave të këqija etj;
- Mirëmbajnë dhe operojnë sharrat manuale dhe pajisje të ndryshme dore për punimet që kryejnë në pyje;
- Kryejnë riparime të vogla dhe mirëmbajtjen e rrugëve pyjore, ndërtesave, objekteve të tjera në pyje;
- Transportojnë gurët dhe materialet e tjera të ndërtimit si rëre, çimento etj. për ndërtimin e murit pritës sipas projektit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor pyjesh mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në agronom apo inxhinier pyjesh.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Prerës drurësh pyjor, punëtor krahu pyjesh, shkulës trungjesh, stivosës trungjesh.
Profesionet në këtë grup
- Prerës drurësh pyjor
- Punëtor krahu pyjesh
- Shkulës trungjesh
- Stivosës trungjesh
- Punëtor krahu i mbjelljes së pemëve pyjore

