9214Punëtorë në kopshte dhe kopshtari

Grup njësi · 24 profesione

Përshkrimi

Punëtori në kopshte dhe kopshtari kryen punime të thjeshta për mbjelljen, kultivimin, shtimin, trajtimin dhe mirëmbajtjen e fidanëve të luleve, pemëve apo bimëve të tjera dekorative të prodhimeve të kopshtarisë, të fidanishteve, për shitje apo përdorime vetjake. Ai kryen ngarkim-shkarkimin apo transportin e bazës materiale të nevojshme. Ai mund të punësohet në kompani, në parqe, lulishte, ferma të ndryshme të prodhimeve bujqësore apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Përgatitin kopshtin për mbjellje duke përdorur mjete dore apo makineri të thjeshta;
  • Kryejnë ngarkim-shkarkimin apo transportin e bazës materiale (dheut, plehut, farërave, kalemave etj.) dhe veglave të punës;
  • Ndihmojnë në shtimin e kulturave të gjelbërimit me fara;
  • Ndihmojnë në shtimin e kulturave të gjelbërimit në mënyrë vegjetative;
  • Ndihmojnë në shtimin e kulturave të gjelbërimit me zhardhok (qepujkë);
  • Kryejnë mbjelljen e luleve zbukuruese në arka, tava apo vazo;
  • Ndihmojnë në kalimin e fidanëve nga farishtja në vazo apo parcela;
  • Kryejnë shërbimet e nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e kulturave të gjelbërimit dhe bimëve dekorative (vaditjen, prashitjen, heqjen e barërave të këqija dhe gjetheve të thara, plehërimin, krasitjen etj.);
  • Ndihmojnë në krasitjen e drurëve duke mbajtur, mbledhur e transportuar mbetjet e tyre;
  • Kryejnë mbledhjen, korrjen dhe paketimin e produkteve të kopshtarisë;
  • Kryejnë mbledhjen e bimëve mjekësore dhe ruajtjen e tyre;
  • Kryejnë ruajtjen apo transportin e produkteve të kopshtarisë për treg;
  • Ruajnë dhe mirëmbajnë veglat e punës;
  • Kryejnë riparime të thjeshta të veglave të punës, të gardheve të kopshteve etj;
  • Bëjnë pastrimin e kopshteve dhe largimin e plehrave;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
  • Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor i varieteteve të përziera dhe fermave blegtorale mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin agronom.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktivitetit si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Fermer për disa lloj produktesh, punonjës i kualifikuar për produkte blegtorale, për produkte bujqësore etj.

Profesionet në këtë grup

  • Punëtor fidanishtesh
  • Punëtor kopshtarie
  • Punëtor kopshtarie për prodhim tregu
  • Punëtor krasitës bimësh shkurrorë
  • Punëtor krasitës drufrutorësh
  • Punëtor kultivues bimësh shkurrorë
  • Punëtor kultivues erëzash në fidanishte
  • Punëtor kultivues farërash
  • Punëtor kultivues i luleve në fidanishte
  • Punëtor kultivues kërpudhash
  • Punëtor kultivues kulturash drufrutorë
  • Punëtor kultivues lulesh
  • Punëtor kultivues shelgjesh
  • Punëtor kultivues zarzavatesh
  • Punëtor lulishtar
  • Punëtor mbjellës çaji
  • Punëtor mbjellës kopre
  • Punëtor parqesh
  • Punëtor plantacioni për çaj
  • Punëtor plantacioni për kultura drufrutorë
  • Punëtor sere
  • Punëtor hortikulture
  • Shartues
  • Vjelës frutash

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye