3258Punonjës të ambulancës

Grup njësi · 6 profesione

Përshkrimi

Punonjës ambulance ofron kujdes shëndetësor në raste emergjente për pacientë të cilët janë të plagosur, sëmurë ose të dëmtuar fizikisht/mendërisht si edhe jep ndihmë para dhe gjatë transportit në ambientet shëndetësore.

Detyrat kryesore

  • Vlerësojnë gjendjen shëndetësore të personave të përfshirë në aksidente, fatkeqësitë natyrore dhe situatat e tjera emergjente;
  • Përcaktojnë nevojat për ndihmë mjekësore të menjëhershme dhe të specializuar;
  • Kryejnë procedurat mjekësore me ilaçe dhe terapi të tjera sipas protokollit të trajtimit të rasteve të emergjencës;
  • Monitorojnë ndryshimet e statusit shëndetësor gjatë transportit të pacientëve për në spital;
  • Japin informacione të afërmve të pacientëve rreth gjendjes shëndetësore;
  • Regjistrojnë informacione mbi kushtet e ambulancës në përputhje me standartet e kërkuara;
  • Zbatojnë rregullat e mbrojtjes së mjedisit;
  • Zbatojnë rregullat e etikës në vendin e punës;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik në punë.

Kërkesat

  • Të jetë individ i përkushtuar drejt shërbimit ndaj të tjerëve;
  • Të ketë perceptim të qartë për rëndësinë e punës që kryen, të kuptojë reagimet e të tjerëve dhe arsyen e tyre;
  • Të jetë i aftë të instruktojë e komunikojë në mënyrën e duhur me të tjerët dhe të kuptojë se si duhet të kryejë veprimet;
  • Të njohë parimet dhe proceset për të dhënë shërbimet e shpejta emergjente ndaj klientit;
  • Të njohë gjendjen e përgjithshme të pacientit për trajtimin sa më të mirë të tij;
  • Të njohë parimet dhe mënyrat e transportimit të pacientëve në mjetet përkatëse transportuese;
  • Të jetë i qëndrueshëm dhe të japë besim edhe në situata stresuese të forta.

Informacion shtesë

  • Për fillimin e punës në këtë profesion individit i kërkohet përfundimi i arsimit të mesëm të përgjithshëm;
  • Përfundimi i një shkolle të mesme mjekësore përbën element avantazhi të lartë;
  • Përkushtimi dhe seriozitetit në punë të bëjnë më të qëndrueshëm në pozicionin e punës;
  • Shkollimi i mëtejshëm jep shanse për karrierë në fushën e mjekësisë.

Profesionet në këtë grup

  • Shoqërues ambulance
  • Shoqërues i ndihmës së parë
  • Punonjës ambulance
  • Ndihmës ambulanca
  • Teknik i urgjencës mjekësore
  • Ndihmës i urgjencës mjekësore

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye