7542Punëtorë të lëndëve plasëse dhe shpërthimeve

Grup njësi · 3 profesione

Përshkrimi

Punëtori i lëndëve plasëse dhe shpërthimeve furnizohet, transporton, ruan dhe përdor lëndët plasëse në përputhje me rregullat e sigurimit teknik dhe kuadrit ligjor shqiptar në fuqi, sipas urdhrit të punës së përgatitur nga përgjegjësi përkatës në minierë apo gurore. Ai mban evidenca të rregullta dhe raporton te eprorët për punën e kryer dhe për zonat e minuara apo të sigurta. Ai mund të punësohet në miniera apo kompani të tjera, ku punohet me lëndë plasëse, në përputhje me legjislacionin shqiptar në fuqi.

Detyrat kryesore

  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik për kryerjen e punëve me lëndë plasëse sipas rregullores dhe kuadrit ligjor shqiptar në fuqi;
  • Respektojnë rregullat e mbrojtjes së mjedisit;
  • Evidentojnë rregullisht konsumin e lëndëve plasëse të marra në dorëzim;
  • Transportojnë, ruajnë dhe përdorin lëndët plasëse në përputhje me rregullat e sigurimit teknik, në ndërresën përkatëse.
  • Bëjnë kontrollin e frontit të punës para fillimit të saj;
  • Kontrollojnë vijën e shembjes së bashku me minatorin e rrëzimit, për të lejuar fillimin e punës;
  • Mbajnë në gatishmëri mjetet e mbrojtjes kundër zjarrit;
  • Japin udhëzime për thellësinë dhe diametrin e shpërthimit të vrimave;
  • Kontrollojnë thellësinë dhe pastërtinë e shpërthimit të vrimave;
  • Përcaktojnë sasinë dhe llojin e eksplozivit që do të përdorin;
  • Përgatitin mbushjen e minave sipas rregullores së sigurimit teknik për punë me lëndë plasëse;
  • Mbushin vrimat e hapura me pluhur guri, rërë dhe materiale të tjera duke e ngjeshur, brenda kushteve teknike të duhura, për të siguruar një plasje të sigurt;
  • Lidhin telat, siguresat dhe litarët shpërthyes në seri;
  • Kryejnë testimin e qarqeve elektrike dhe riparimin e atyre që nuk funksionojnë;
  • Kryejnë punët me lëndë plasëse në përputhje me projektin, pasaportat e punimeve të shpim-plasjes;
  • Kryejnë shpërthimin e minave sipas rregullave të sigurimit teknik;
  • Sigurohen që të gjitha minat kanë plasur duke mbajtur evidenca të rregullta për minat e paplasura;
  • Raportojnë në instancat përkatëse për zonat e minuara apo të sigurta;
  • Sigurojnë ruajtjen e lëndës plasëse brenda në depo në kushte teknike normale me ndriçim të mjaftueshëm, pa u dëmtuar nga uji, me ajrim të bollshëm;
  • Bëjnë largimin e ambalazheve dhe pastrimin e mjedisit përreth;
  • Mbajnë rregullisht dokumentet e hyrje-daljeve të lëndës plasëse në depo.
  • Dorëzojnë në depo në kohën e duhur tepricat e lëndëve plasëse të papërdorura;
  • Mbajnë evidenca të rregullta për minat e paplasura;
  • Mbikëqyrin grupin e tyre të punës.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional në këtë fushë;
  • Të ketë përvojë të paktën 1 vjeçare në profesionin e minatorit.
  • Te ketë “dëshmi zjarrmëtari” nga institucionet e njohura me ligj.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor i lëndëve plasëse dhe shpërthimeve mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në përgjegjës turni në një njësi prodhimi. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier miniere.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Zjarrmëtar, shpërthyes, përgjegjës turni, përgjegjës sektori.

Profesionet në këtë grup

  • Shpërthyes/Minator
  • Zjarrmëtar
  • Përgatitës i lëndës eksplozive

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye