7521Punonjës të përpunimit të drurit
Grup njësi · 7 profesione
Përshkrimi
Punëtori i përpunimit të drurit merret me ruajtjen dhe trajtimin e drurit me kimikate për mbrojtjen e tij nga kalbja dhe parazitët. Ai merret me tharjen dhe seleksionimin e tij. Ai kryen sharrime të ndryshme dhe përpunimin e drurit. Ai punon artikuj të imtë druri për kuzhinë me vegla dore apo makineri të ndryshme. Ai mund të punësohet në kompani shërbimesh apo prodhimesh të artikujve prej druri apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Ruajnë dhe trajtojnë drurin, kompensatën dhe produkte të ngjashme të drurit;
- Kujdesen për furrat, tanket e trajtimin të drurit etj. për të tharë lëndën e drurit;
- Trajtojnë kimikisht produkte të drurit për mbrojtjen e tyre nga parazitët apo kalbja;
- Monitorojnë dhe vlerësojnë kushtet e nevojshme teknike (dritat, lagështinë etj.) për të zbuluar dhe shmangur dëmtimet e mundshme dhe për të siguruar që proceset të bëhen në bazë të specifikimeve;
- Ndihmojnë në mirëmbajtjen e pajisjeve dhe makinerive të përpunimit të drurit;
- Pastrojnë dhe lubrifikojnë pajisjet dhe makineritë;
- Transportojnë materialet drusore dhe produktet e tyre në vendet e paracaktuara, me krahë ose duke përdorur karroca apo mjete të tjera ndihmëse;
- Kryejnë sharrime të thjeshta të drurëve;
- Plotësojnë dhe ruajnë raportet prodhimit;
- Kryejnë matje dhe bëjnë skicime të thjeshta për prodhimin e artikujve të imtë druri për kuzhinë duke përdorur vegla dore apo pajisje të tjera;
- Përgatitin produkte të tjera të drurit;
- Montojnë makineri (sharra) për prerjen dhe përpunimin e drurit;
- Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
- Kryejnë shërbime të mirëmbajtjes periodike të makinerive të përpunimit të drurit dhe veglave të punës;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional në këtë fushë;
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
- Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor i përpunimit të drurit mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel mbikëqyrësi. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier përpunim druri.
- Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
- Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: prodhues artikujsh të imët druri për kuzhinë, punëtor gatrre (sharrëxhi trupash druri), seleksionues i drurit, staxhionues i drurit, trajtues druri.
Profesionet në këtë grup
- Prodhues artikuj të imtë druri për kuzhinë
- Punëtor përpunues druri
- Punëtor gatrre (sharrëxhi trupash druri)
- Seleksionues i drurit
- Skalitës druri
- Staxhionues i drurit
- Trajtues druri

