7517Degustues dhe klasifikues të ushqimeve dhe pijeve

Grup njësi · 12 profesione

Përshkrimi

Degustues dhe klasifikues të ushqimeve dhe pijeve merret me degustimin e pijeve të ndryshme alkoolike dhe jo alkoolike si dhe me degustimin e produkteve të ndryshme ushqimore të sjella në gjendje natyrale apo të përpunuara nga industritë e ndryshme ushqimore me qëllim klasifikimin e tyre sipas llojit, sipas cilësisë brenda llojit dhe me qëllimin final vlerësimin cilësor të tyre. Degustuesi i ushqimeve dhe pijeve mund të punësohet në kompani të ndryshme shërbimesh, prodhimesh ushqimore, në shoqëri tregtare që kanë reparte të shërbimit ushqimor dhe të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Parapërgatitin ose mbikëqyrin vendin e punës (laboratorin degustues) duke garantuar të gjithë parametrat (higjienizimin, temperaturën, lagështinë, nivelin e ndriçimit) për procesin e degustimit;
  • Sigurojnë higjienën personale duke u kujdesur cilësisht të mos ketë asnjë ndikim nga profumet apo aromat e ndryshme;
  • Sigurojnë sterilizimin standard të enëve, gotave sterilizuese;
  • Kryejnë inspektimin, testimin, nuhatjen e produkteve bujqësore, ushqimore dhe pijeve në faza të ndryshme të përpunimit;
  • Bëjnë përzgjedhjen e llojit të enëve, gotave në varësi të pijes apo ushqimit që do të degustohet;
  • Marrin mostrën në sasinë e duhur për artikullin që do të degustohet dhe e vendosin në kushtet e kërkuara teknike;
  • Ndajnë mostrën në 4 porcione të barabarta (në kompanitë e mëdha të prodhimeve ushqimore);
  • Vlerësojnë pamjen, transparencën, ngjyrën dhe sjelljen e lëngut;
  • Kryejnë degustimin organo-leptik (shqisor) të produktit ushqimor;
  • Kryejnë lëvizje harkore të gotës për t’i dhënë lëvizje rrotulluese pijes;
  • Vlerësojnë fluiditetin e lëngut, krijimin e rruazave (bulëzave), dendësinë, madhësinë dhe lëvizshmërinë e tyre (tregues këto të cilësisë së prodhimit);
  • Vlerësojnë krijimin e rrathëve të verës, rënien e tyre, krijimin e “lotëve”, rënien e tyre etj. (përsëri si tregues të lidhur me cilësinë e prodhimit);
  • Bëjnë nuhatjen e pijes duke dhënë gjykim mbi aromën e saj;
  • Gjykojnë shijen dhe konsistencën (trupin) e pijes me qëllim klasifikimin e tipologjisë dhe cilësisë së saj;
  • Bëjnë kontrollin teknik të parametrave të lëndës së parë natyrore dhe të produktit ushqimor që po degustohet (përmasat, formën, fortësinë, butësinë etj.);
  • Bëjnë degustimin kimiko-biologjik të artikullit ushqimor;
  • Matin sheqerin, aciditetin, athtësinë, përqindjen e alkoolit etj. në laborator, të artikullit ushqimor të kërkuar;
  • Konsultohen me kolegët mbi konkluzionet e punës;
  • Përcaktojnë cilësinë, pranueshmërinë për shijet e konsumatorit dhe vlerat e përafërta të produkteve duke i renditur ato në klasa të përshtatshme;
  • Përcaktojnë skadencën e produkteve;
  • Kryejnë peshime dhe matje të produkteve;
  • Bëjnë klasifikimin përfundimtar të ushqimeve dhe pijeve;
  • Bëjnë regjistrimin ose identifikimin përkatës në fletën e marrjes ose të shitjes;
  • Japin këshillat e duhura për kombinim me pjata të caktuara;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional në këtë fushë;
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

  • Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin një asistent-degustator. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një degustues i ushqimeve dhe pijeve mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier kimist.
  • Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
  • Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: degustator verërash, pije të forta alkoolike, birrash, uthulle, degustator lëngjesh joalkoolikë, degustator kafeje, sallamesh, proshutash, djathërash, reçelrash, glikoje apo të një numri të pafund produktesh ushqimore në gjendjen e tyre natyrale apo të përpunuara në industritë ushqimore.

Profesionet në këtë grup

  • Degustues çajit
  • Degustues i kafesë
  • Degustues i lëngjeve
  • Degustues i likerit
  • Degustues i rakisë
  • Degustues i ushqimeve
  • Degustues i verës
  • Kategorizues i vajit
  • Seleksionues i frutave
  • Seleksionues i mishit dhe peshkut
  • Seleksionues i zarzavateve
  • Klasifikues ushqimesh

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye