7515Prodhues të produkteve dhe nënprodukteve të qumështit

Grup njësi · 5 profesione

Përshkrimi

Prodhuesi i produkteve dhe nënprodukteve të qumështit merret me përpunimin e qumështit dhe prodhimin e gjalpit, llojeve të ndryshme të djathit, kremit të qumështit apo nënprodukteve të tjera të tij. Ai merret gjithashtu me ambalazhimin, ruajtjen dhe tregtimin e tyre. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme prodhimesh, produktesh qumështi, në shoqëri tregtare që kanë reparte të shërbimit ushqimor dhe të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Bëjnë preventivin e materialeve të duhura për prodhimin, përgatitjen e nënprodukteve në sasinë e kërkuar;
  • Sigurojnë lëndën e parë (qumështin) të nevojshme për prodhimin e produktit;
  • Përgatitin makineritë apo pajisjet për punë;
  • Kryejnë peshime apo matje të sasisë së lëndës së parë që do të përdorin për prodhimin, përgatitjen e nënprodukteve;
  • Ziejnë qumështin ose e pasterizojnë atë për të arritur specifikimin e PH dhe përmbajtjen e yndyrës (gjalpit);
  • Rrahin qumështin dhe ndajnë kremin nga qumështi për nxjerrjen e gjalpit;
  • Ndajnë qumështin në enë të veçanta për proceset e prodhimit të produkteve të ndryshme (djathëra të ndryshme, kos, dhallë, gjizë, salca të ndryshme etj.);
  • Hedhin përbërësit e duhur në qumësht për prodhimin e nënprodukteve të tij, në sasinë e kërkuar teknikisht;
  • Presin qumështin për përgatitjen e gjizës, e djathit dhe e ngrohin atë deri në temperaturën e duhur sipas produktit që do të prodhojnë (sa të arrijë fortësinë e duhur);
  • Hedhin qumështin e prerë në kallëp për t’i dhënë forma;
  • Kryejnë ndarjen e hirrës nga gjiza dhe djathi;
  • Kryejnë kullimin e gjizës dhe djathit;
  • Kriposin djathin dhe e pjekin atë për të prodhuar lloje të ndryshme, sipas kërkesave teknike të kërkuara për çdo asortiment;
  • Ruajnë produktet dhe lëndën e parë në kushtet teknike dhe frigoriferike të duhura;
  • Monitorojnë cilësinë e produktit para paketimit duke inspektuar vazhdimisht me marrjen e mostrave dhe rregullimin e trajtimit në kushtet e duhura, kur është e nevojshme;
  • Regjistrojnë përbërësit e përdorur, rezultatet e testimit dhe ciklet e duhura të kohës;
  • Bëjnë prerjet dhe ambalazhimet e nevojshme;
  • Kryejnë tregtimin e produkteve dhe nënprodukteve ushqimore;
  • Pastrojnë makineritë dhe pajisjet e përdorura;
  • Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional në këtë fushë;
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

  • Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një prodhues i produkteve dhe nënprodukteve të qumështit mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier kimist.
  • Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
  • Punonjësit në këtë grup profesionesh mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si prodhues djathi (punonjës baxhoje), prodhues gjalpi, prodhues gjize etj.

Profesionet në këtë grup

  • Prodhues djathi
  • Prodhues gjalpi
  • Prodhues gjize
  • Prodhues i bulmetrave
  • Prodhues i kosit dhe nënprodukteve të tij

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye