7513Bërës produktesh brumi
Grup njësi · 6 profesione
Përshkrimi
Bërësi i produkteve të brumit merret me përgatitjen e brumit për baza pice, byrek, makarona petë, biskota, amareta, apo produkte të tjera brumi, si dhe me pjekjen, ambalazhimin dhe ruajtjen e tyre. Ai siguron bazën e nevojshme materiale dhe përgatit makineritë apo pajisjet për punë duke zbatuar rregullat e ruajtjes dhe sigurisë ushqimore. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme shërbimi ushqimore, në shoqëri tregtare që kanë reparte të shërbimit ushqimor, apo edhe të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Marrin porosinë nga klientët;
- Bëjnë preventivin e materialeve të duhura për prodhimin e brumit të produktit të kërkuar;
- Sigurojnë bazën e nevojshme materiale;
- Përgatitin makineritë apo pajisjet për punë;
- Kryejnë peshime apo matje të sasisë së lëndës së parë që do të përdorin për prodhimin e brumit të nevojshëm;
- Hedhin sasitë e duhura të miellit, vezëve, sheqerit, kripës, gjalpit, ujit, majasë apo përbërësve të tjerë,(sipas llojit të produktit që do të prodhojë) në brumatriçe apo enën e duhur për t’u përzier;
- Bëjnë përzierjen e masës me dorë apo brumatriçe deri sa të bëhet lidhja e materialeve (bëhet brumi);
- Nxjerrin brumin nga brumatriçja apo ena ku është bërë përzierja;
- Ndajnë brumin me masa të barabarta;
- Bëjnë hapjen brumit në petë me dorë ose me makineri;
- Shtojnë gjalpin mbi petë duke bërë 3-4 palosje deri sa të lidhen me njëra- tjetrën;
- Presin brumin në format e duhura;
- Bëjnë mbushjen e tyre sipas porosisë dhe produktit të kërkuar;
- Vendosin produktet në dhomën e ardhjes, duke respektuar afatet e duhura;
- Bëjnë pjekjen e produktit në temperaturën dhe kohën e duhur;
- Pastrojnë makineritë dhe pajisjet e përdorura;
- Ruajnë produktet dhe bazën materiale në kushtet e duhura;
- Bëjnë ambalazhimet e nevojshme;
- Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional në këtë fushë;
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një bërës produktesh brumi mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier të kimisë ushqimore, teknolog ushqimor.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë bërësit e produkteve të brumit i duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si bërës bazash pice, bërës byreku, bërës makaronash, biskotash, amaretash etj.
Profesionet në këtë grup
- Bërës bazash pice
- Bërës byreku
- Bërës makarona petë
- Përgatitës biskotash dhe amaretash
- Punëtor i furrave të biskotave
- Stampues i nxjerrjes së makaronave petë

