7512Bukëpjekës
Grup njësi · 7 profesione
Përshkrimi
Bukëpjekësi merret me sigurimin e lëndës së parë të nevojshme për prodhimin e produktit të kërkuar, përgatit makineritë apo pajisjet për përgatitjen e brumit për bukë të llojeve të ndryshme, bën pjekjen, ambalazhimin dhe ruajtjen e tyre. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme shërbimi ushqimore, në shoqëri tregtare që kanë reparte të shërbimit ushqimor, apo edhe të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Marrin porosinë nga klientët për llojin dhe formën e bukës që do të prodhojnë;
- Bëjnë preventivin e materialeve të duhura për prodhimin e brumit për sasinë e produktit të kërkuar;
- Sigurojnë lëndën e parë të nevojshme për prodhimin e produktit të kërkuar;
- Përgatitin makineritë apo pajisjet për punë;
- Kryejnë peshime apo matje të sasisë së lëndës së parë që do të përdorin për prodhimin e brumit të nevojshëm për produktin e kërkuar;
- Hedhin sasitë e duhura të miellit, kripës, ujit, majasë apo përbërësve të tjerë, (sipas llojit të produktit që do të prodhojë) në brumatriçe apo enën e duhur për t’u përzier;
- Bëjnë përzierjen e masës me dorë apo brumatriçe deri sa të bëhet lidhja e brumit;
- Nxjerrin brumin nga brumatriçja apo ena ku është bërë përzierja dhe e lënë për çlodhje;
- Hedhin brumin në format e duhura(tava);
- Vendosin produktet në dhomën e ardhjes, duke respektuar kushtet teknike dhe kohën e duhur;
- Bëjnë nxehjen e furrës në temperaturën e duhur;
- Bëjnë pjekjen e produktit në temperaturën dhe kohën e duhur;
- Bëjnë lëshimin e avullit në furrë gjatë kohës së pjekjes;
- Nxjerrin produktin e bukës nga tava dhe e vendosin në raftet përkatës për të kulluar;
- Bëjnë prerjet dhe ambalazhimet e nevojshme;
- Ruajnë produktet dhe lëndën e parë në kushtet e duhura;
- Pastrojnë makineritë dhe pajisjet e përdorura;
- Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional në këtë fushë;
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një bukëpjekës mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin teknolog ushqimor.
Për të zhvilluar aktivitet privat në këtë fushë bukëpjekësit i duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si brumëgatues, bukëpjekës, punëtor i furrave të bukës, bërës me dorë i bukës së tavolinës etj.
Profesionet në këtë grup
- Bërës majaje
- Bërës me dorë i bukës së tavolinës
- Brumëgatues buke
- Bukëpjekës
- Prerës buke
- Punëtor i furrave të bukës
- Radhitës buke

