7133Punëtorë të pastrimit të konstruksioneve të ndërtesave

Grup njësi · 5 profesione

Përshkrimi

Punëtori i pastrimit të konstruksioneve të ndërtesave kryen procese të ndryshme pune si: zmerilim, pastrim, larje, lyerje të fasadës etj. të ndërtesave, të strukturave të ndryshme të shtëpive, apartamentet, fabrikat dhe të tjera të ngjashme. Ai përdor mjetet dhe materialet e ndryshme të pastrimit sipas proceseve të punës. Ai mund të punësohet në kompani të shërbimeve të pastrimi apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Kryejnë punime përgatitore për mbërthimin e konstruksioneve mbajtëse që do të përdorin gjatë procesit të pastrimit;
  • Montojnë skela apo shkallë të përkohshme prej metali ose druri në vendet e punës;
  • Bëjnë matjet në objekt për të përcaktuar sasinë e bojës apo të solucioneve të ndryshme (në rastin e fasadave prej xhami) dhe materialeve të tjera ndihmëse;
  • Përcaktojnë ndërhyrjet që do të kryejnë në sipërfaqet e dëmtuara;
  • Përgatitin mjetet dhe pajisjet e punës për pastrim sipas punës që do të kryejnë;
  • Bëjnë stukimin e plasaritjeve të sipërfaqeve si dhe zmerilimin e tyre, lëmimin e sipërfaqes dhe heqjen e pluhurave;
  • Pastrojnë ndërtesat nga myku apo mbeturinat në sipërfaqet e dëmtuar nga zjarri;
  • Kryejnë lyerjen e sipërfaqeve me bojëra kundër ndryshkut dhe korrozionit;
  • Përzgjedhin dhe përgatitin solucionet e pastrimit sipas dozave të duhura;
  • Pastrojnë sipërfaqe të jashtme prej guri, tulla, metali apo materiale të ngjashme me mjete të ndryshme pastrimi (me letër zmerile, furçe teli etj.) dhe kimikatet e duhura, për pastrim;
  • Përdorin avull nën presion të lartë apo rërë për pastrim, sipas procedurave teknike të paracaktuara;
  • Bëjnë spërkatjen me solucion për heqjen e yndyrave dhe mbetjeve vajore në xham;
  • Bëjnë heqjen e papastërtive me gominë pastruese;
  • Bëjnë spërkatjen me solucione të ndryshme dhe pastrimin e sipërfaqes së mermertë;
  • Bëjnë shpëlarjen e sipërfaqes me pompë uji me presion;
  • Bëjnë punime pastrimi në oxhaqe dhe tubacionet që lidhen me to, si dhe heqjen e blozës dhe papastërtive të rëna në fundin e oxhakut;
  • Pastrojnë dhe mirëmbajnë veglat dhe pajisjet e punës;
  • Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë.
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një punëtor i pastrimit të konstruksioneve të ndërtesave mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin e inxhinierit.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: fshirës oxhaku, pastrues për pjesët e jashtme të ndërtesave, pastrues për pjesët e jashtme të ndërtesave me xhama etj.

Profesionet në këtë grup

  • Fshirës oxhaku
  • Pastrues për pjesët e jashtme të ndërtesave
  • Pastrues për pjesët e jashtme të ndërtesave me xhama
  • Pastrues për qyngje oxhaku
  • Pastrues për pjesët e jashtme të ndërtesave me rrymë ajri

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye