7131Bojaxhinj ndërtesash dhe të tjerë që lidhen me to
Grup njësi · 17 profesione
Përshkrimi
Një bojaxhi ndërtesash dhe të tjerë që lidhen me to merret me përgatitjen e sipërfaqeve të ndërtesave dhe strukturave të tjera për lyerje, përgatitjen e materialeve që do të përdoren për lyerje, lyerjen dhe dekorimin e sipërfaqeve të ndryshme sipas projekteve dhe kërkesave të klientëve. Ai mund të vendosë shtresa të materialeve mbrojtëse dhe dekorative të ngjashme ose të mbulojë mure të brendshme dhe tavane të ndërtesave me tapiceri dhe materialeve të ndryshme si: letër, mëndafsh, stof e të tjera. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme ndërtimi, në shoqëri që kanë reparte të shërbimeve dhe të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Njihen me projektin përkatës të objektit;
- Njihen me objektin e punës;
- Konsultohen me kolegë për procesin e punës;
- Bëjnë preventivin e bazës materiale (për sasinë e bojës dhe materialeve të tjera ndihmëse, mjeteve të nevojshme të punës);
- Përgatitin vendin dhe mjetet e punës;
- Përcaktojnë radhën e punës në objekt;
- Kryejnë përgatitjen e sipërfaqes (fasadës, dhomës etj.) për punë;
- Kryejnë stukime, zmerilime, pastrime (me letër zmerile, gur fresibël, furçe teli, etj.);
- Ruajnë sipërfaqet që nuk do të lyhen duke vendosur tenije;
- Përzgjedhin ngjyrat dhe pigmentet për përgatitjen e ngjyrave të kërkuara;
- Kryejnë përgatitjen e ngjyrave sipas kërkesës, me dorë ose me kompjuter;
- Montojnë skelat për rastin e lyerjeve në lartësi;
- Kryejnë kontrollin e sigurisë së skelës duke zbatuar të gjitha rregullat e duhura;
- Kryejnë lyerjen me astar të sipërfaqes për lidhjen e saj me bojën;
- Bëjnë kalimin e dorës së parë të bojës të holluar me 15% - 20% ujë, me furçë, rul, pompë ose me pistoletë, në varësi të llojit të sipërfaqes ku do të punohet;
- Kryejnë lyerjen përfundimtare të sipërfaqeve me ngjyrat e përgatitura;
- Bëjnë dekorimet e duhura sipas projektit apo kërkesës së klientit;
- Bëjnë matje të ndryshme të sipërfaqeve që do të mbulojnë me materiale të ndryshme dekoruese;
- Kryejnë matjen dhe prerjen e materialeve përkatëse (tapiceri të ndryshme, letër dekorative, mëndafsh, stof, e të tjera).
- Vendosin materialet e përgatitura në sipërfaqe të përgatitura, duke përdorur materialet ndihmëse të duhura për ngjitjen e tyre;
- Bëjnë lyerjen me materiale përkatëse dhe bojëra apo shtresa mbrojtëse kundër ndryshkut të hekurit dhe materialeve të ngjashme të strukturave metalike, kornizave të hekurta të ndërtesave, urave apo strukturave metalike të anijeve;
- Bëjnë lyerjen me materiale përkatëse dhe bojëra mbrojtëse të sipërfaqeve të drunjta;
- Kryejnë pastrimin dhe sistemimin e vendit të punës;
- Bëjnë kontrollin përfundimtar të gjithë objektit;
- Bëjnë dorëzimin përfundimtar të objektit sipas projektit;
- Realizojnë detyra të tjera të ngjashme;
- Mbikëqyrin punimet e realizuara nga punëtorë të tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
- Bëjnë preventive për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në këtë profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës ky ndihmës mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier ndërtimi, inxhinier kimi industriale, etj.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme si bojaxhi për struktura metalike, bojaxhi për materiale druri, bojaxhi për tavane të varura, kombinues bojërash me kompjuter, dekorator ndërtesash, veshës muresh me letër etj.
Për të zhvilluar një aktivitet privat (vetëpunësim) në fushën e hidraulikës duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Bojaxhi për çeliqe strukturore
- Bojaxhi për gëlqere
- Bojaxhi për konstruksione metalike, druri
- Bojaxhi për lyerje konstruksionesh me furçë
- Bojaxhi për lyerjen e trupit të anijes
- Bojaxhi për metale
- Bojaxhi për ndërtesa
- Bojaxhi për pjesën e jashtme të konstruksioneve
- Bojaxhi për shtëpi
- Bojaxhi për skena
- Bojaxhi për tavane të varura
- Dekorator ndërtesash
- Dekorator për mure të veshura me letër
- Dekorator për mure të veshura me material tekstili
- Kombinues bojërash me kompjuter
- Lakues për metale
- Veshës me letër

