7122Shtrues pllakash dhe të tjerë që lidhen me to
Grup njësi · 9 profesione
Përshkrimi
Shtruesi i pllakave (pllaka shtruesi) dhe të tjerë që lidhen me toinstalon, mirëmban dhe riparon parkete dhe lloje të tjera të dyshemeve ose mbulojnë dyshemetë, muret ose sipërfaqet e tjera me pllaka ose panele mozaikësh për qëllime dekorimi ose të tjera. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme ndërtimi, në shoqëri tregtare që kanë reparte të shërbimit për ndërtim dhe të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Studiojnë projektin përkatës për sipërfaqet që do të shtrojnë;
- Bëjnë preventivin e materialeve të duhura për dyshemenë apo sipërfaqet e tjera;
- Sigurojnë bazën e nevojshme materiale;
- Sistemojnë veglat e punës sipas procesit të punës;
- Konsultohen me inxhinierë apo teknikë të tjerë të objektit;
- Përgatitin sipërfaqen e dyshemesë për t’u mbuluar me parket, pllaka ose materiale të tjera;
- Kontrollojnë kuotat e nivelit të sipërfaqes;
- Bëjnë nivelimin e sipërfaqes me material mbushës (rërë e çimento apo material i gatshëm mbushës prodhuar apopersonelat për këtë funksion);
- Përgatitin materialet e nevojshme për shtrimin e pllakave (llaçin, kollën, bojakun etj.);
- Bëjnë matjen dhe prerjen e pllakave sipas projektit;
- Vendosin pllakat apo materialet e tjera në dysheme sipas skicës dhe përshkrimeve të tjera, duke respektuar afatet e mpiksjes së materialeve;
- Bëjnë përshtatje të skicës sipas ambientit apo kërkesave të klientit;
- Përgatitin sipërfaqet e murit për veshje me pllaka ose materiale të tjera për qëllime dekorimi ose të tjera (rasti i izolimit akustik);
- Vendosin pllaka apo panele të mozaikëve në mure, dysheme apo sipërfaqe të tjera;
- Vendosin batiskopat;
- Bëjnë pastrimin e fugave nga papastërtitë e mundshme;
- Bëjnë mbushjen e fugave me materialin e duhur dhe te predispozuar;
- Pastrojnë sipërfaqen e shtruar, në kohën e duhur;
- Mbajnë shënimet e duhura për detyrat e kryera si dhe kohën e kryerjes së tyre;
- Montojnë pjesët e parketit;
- Riparojnë parkete dhe lloje të tjera shtresash të dyshemeve;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një shtrues pllakash mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier ndërtimi.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë, shtruesit të pllakave i duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Prerës/vendosës mozaikësh
- Punëtor parketi
- Shtrues dyshemeje me pllaka druri
- Shtrues dyshemeje me parket
- Shtrues me pllaka druri
- Shtrues për pllaka dekorative
- Shtrues pllakash
- Veshës muresh me pllaka
- Shtrues pllakash mermeri

