7115Karpentierë/zdrukthëtarë dhe të tjerë të lidhur me të

Grup njësi · 25 profesione

Përshkrimi

Karpentieri dhe zdrukthëtari dhe të tjerë të lidhur me topret, u jep formë, monton, mirëmban dhe riparon llojet e ndryshme të strukturave prej druri, si dhe ndërton korniza dhe struktura të tjera përforcuese prej druri, materiale metalike apo materiale të tjera. Ata mund të punësohen në kompani të ndryshme me aktivitet ndërtimi, të shërbimeve apo të vetëpunësohen.

Detyrat kryesore

  • Analizojnë projektin dhe specifikimet teknike të objektit;
  • Bëjnë kontrollin paraprak të vendit të punës para fillimit të procesit të punës;
  • Bëjnë sistemimin e materialeve dhe veglave të punës sipas proceseve të punës;
  • Respektojnë me rigorozitet radhën e kryerjes së punës sipas orientimit të dhënë në objekt;
  • Kryejnë matjet dhe prerjet sipas përmasave të përcaktuara në projekt;
  • Bëjnë hedhjen e akseve në bashkëpunim me topografin apo specialistin përkatës;
  • Bëjnë piketimin dhe armaturën anësore të themelit;
  • Bëjnë vendosjen e modinave për kolonat dhe muret e betonit sipas projektit;
  • Ndërtojnë armaturën, kallëpet e kolonave, mureve, shkallëve, urave apo strukturave të tjera, duke respektuar radhën e punës, me materiale druri, plastike, apo metalike sipas specifikimeve teknike;
  • Montojnë skelerinë përforcuese për fazën e betonimit të mureve dhe kolonave;
  • Kontrollojnë vertikalitetin e armaturës (peshon) me plumbçe;
  • Nxjerrin kuotat e lartësisë së katit sipas projektit (para betonimit);
  • Lagin armaturën para betonimit;
  • Ndërtojnë skelën për armaturën e trarëve dhe soletës duke ndjekur proceset e tjera të punës;
  • Vendosin polisterolin ose tullat në soletë apo në struktura të tjera (për rastin e soletave të lehtësuara);
  • Kryejnë kontrollin përfundimtar të punimeve;
  • Bëjnë dorëzimin e punimeve, të kallëpeve apo strukturave të tjera tek drejtuesi teknik për të gjitha fazat e punimeve;
  • Bëjnë disarmimin e kolonave, mureve dhe soletës apo strukturave të tjera duke respektuar afatet e duhura;
  • Kryejnë pastrimin dhe sistemimin e armaturës;
  • Krijojnë, riparojnë dhe montojnë pajisje skenike të funksioneve të ndryshme (film, teatër etj.);
  • Bëjnë ndërtime, montime, ndryshime dhe riparime të strukturave të drurit në vagonët e trenit, anije, mjete transporti mbi ujë, lundrave dhe mjeteve të tjera transporti;
  • Kryejnë prerjen, formimin, montimin dhe instalimin e pjesëve të drurit;
  • Përdorin veglat dhe pajisjet e duhura sipas proceseve të punës (si: sqepar, çekiç, plumbçe, nivel, sharrë elektrike ose dore, metër, vibrator etj.);
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
  • Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
  • Të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një karpentier dhe marangoz mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier druri.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.

Profesionet në këtë grup

  • Bojaxhi për dru
  • Karpentier
  • Karpentier anijesh
  • Karpentier për ndërtim çatie
  • Karpentier miniere
  • Karpentier për konstruksione
  • Karpentier për mirëmbajtje
  • Karpentier për skela
  • Karpentier për ura
  • Karpentier skene
  • Karpentier teatri
  • Karpentier zdrukthëtar
  • Lakues për dru
  • Marangoz
  • Marangoz anijesh
  • Marangoz avionësh
  • Marangoz dhe montues mobilesh
  • Marangoz konstruksionesh
  • Marangoz skelash
  • Montues për dru
  • Ndërtues dhe riparues anijesh
  • Punues direkësh druri
  • Punues varkash anijesh me dru
  • Punues varkash druri me motor
  • Zdrukthëtar

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye