7114Betonues dhe të tjerë që lidhen me to
Grup njësi · 11 profesione
Përshkrimi
Betonuesi dhe të tjerë që lidhet me to ndërton korniza dhe struktura të përforcuara prej betoni ose prej allçie, përforcojnë sipërfaqet e çimentos, bën vendosjen e çimentos në mure, korniza shkallësh, tarraca, etj. Gjithashtu, ai përfundon dhe riparon sipërfaqe prej çimentoje. Ndërton struktura të përforcuara hekuri për vëllimet apo sipërfaqet që do të betonojnë sipas një projekti paraprak. Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme me aktivitet ndërtimi apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
Betonues:
- Njihen me projektin dhe specifikimet teknike të objektit ku do të punojnë;
- Bëjnë kontrollin paraprak të vendit të punës para fillimit të procesit;
- Bëjnë organizimin e punës me kolegët e tjerë përpara fillimit të procesit;
- Bëjnë sistemimin e materialeve dhe veglave të punës sipas proceseve të punës.
- Respektojnë me rigorozitet radhën e kryerjes së çdo procesi pune sipas orientimit të dhënë në objekt;
- Sigurojnë sasitë e duhura të materialeve për betonin (hekur, dërrasa, skela, zhavorr, çimento, rërë, ujë etj.), sipas markave të përcaktuara në projekt;
- Realizojnë – në bashkëpunim me punëtorët e tjerë – ndërtimin e skelës që do shërbejë si plan pune për zhvillimin e operacionit;
- Ndihmon në ndërtimin e armaturës brenda së cilës do derdhet betoni, vendosjen e kallëpeve apo formave të ndryshme sipas projekteve paraprake;
- Vendosin shtyllat mbajtëse të peshës, morsetat dhe mjetet e tjera që sigurojnë qëndrueshmërinë e armaturës ndaj peshës dhe presionit të ngarkesës beton;
- Ndihmojnë në vendosjen e hekurit të duhur dhe lidhjen e tij; në sasinë dhe formën e përcaktuar në projektin inxhinierik;
- Realizojnë procesin e përzierjes së sasisë së duhur dhe raportet e paracaktuara të materialeve përbërëse të betonit me sasinë e duhur të ujit, me dorë ose me makineri;
- Shpërndajnë betonin dhe e shtrojnë atë në soleta, kolona, shkallë, mure, ballkone, ura, apo strukturave të tjera në kohën e duhur, sipas radhës së përcaktuar nga projekti dhe drejtuesi teknik i objektit;
- Bëjnë vibrimin e betonit gjatë çdo betonimi;
- Kryejnë nivelimin e betonit;
- Kryejnë lustrimin e betonit apo çimentos;
- Bëjnë trajtimin me ujë të strukturave pas betonimit;
- Bëjnë riparimin e defekteve te vogla pas betonimeve (zgavra, vrima etj.);
- Bëjnë dorëzimin e punimeve tek drejtuesi teknik i objektit duke bërë dhe shënimet përkatëse të afateve të punimit të kryer;
- Bëjnë riparime të ndryshme të sipërfaqeve të betonuara;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
- Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit.
Hekurkthyes:
- Përzgjedhin llojin e hekurit sipas specifikimeve të bëra në projekt;
- Bëjnë matjet e duhura të hekurit duke respektuar tolerancat teknike;
- Presin hekurin sipas përmasave të duhura duke eliminuar mbetjet (sa më pak firo);
- Bëjnë kthimin e hekurit sipas formave të përcaktuara në projekt;
- Vendosin hekurin sipas specifikimeve të projektit;
- Bëjnë “mbjelljen” e kolonave në bashkëpunim me topografin ose inxhinierin e zbatimit për strukturat vertikale (kolona, mure anësore etj.);
- Bëjnë montimin (lidhjen) e hekurit sipas specifikimeve të përcaktuara;
- Për strukturat horizontale (trarë, soleta etj.) puna fillon me lidhjen e trarëve duke respektuar distancat e vendosjes së personelave sipas projektit;
- Bëjnë lidhjen e hekurave të soletës (që mund të jetë monolite ose e lehtësuar);
- Kontrollojnë strukturat e përfunduara të hekurit që të jenë në përputhje me projektin;
- Bëjnë dorëzimin e punimeve tek drejtuesi teknik i objektit;
- Kryejnë detyra të lidhura me mbikëqyrjen e punëtorëve të tjerë;
- Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
- Përdorin veglat, mjetet apo makineritë e duhura të punës si; gërshërë hekuri dore, gurë fresibël, makinë prerëse (tranxhë), banko kthimi hekuri sipas trashësisë së hekurit, banko personelash etj.
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një betonues dhe të tjerë që lidhen me to mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel tekniku. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier ndërtimi.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në fushën e shërbimeve të ndërtimit duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Betonues
- Derdhës betoni
- Hedhës betoni
- Hekurkthyes
- Lustrues për beton
- Lustrues për çimento
- Nivelues betoni
- Punëtor për përforcimin e betonit
- Punëtor për shtrim dyshemeje
- Trazues betoni
- Vendosës betoni

