7113Gurgdhendës, prerës guri dhe skalitës
Grup njësi · 23 profesione
Përshkrimi
Gurgdhendësi, prerësi i gurit dhe skalitësi punon me blloqe dhe pllaka guri apo mermeri, me vegla dore apo makineri të përshtatshme. Ai pret, u jep formë dhe finalizon gurët për ndërtim, për zbukurim ose për mirëmbajtjen e strukturave, mureve dhe monumenteve prej guri, apo për qëllime të tjera të ngjashme. Ai modelon, skicon, ndërton dhe gdhend figura në gur, mermer etj.
Ai mund të punësohet në kompani të ndryshme ndërtimi, restaurimi, shërbime mirëmbajtjeje dhe të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Njihen me objektin;
- Zbërthejnë projektin e dhënë;
- Konsultohen me kolegët për porositë e marra nga klientët dhe për mbarëvajtjen e punës;
- Bëjnë përllogaritje të thjeshta të kostos;
- Përzgjedhin bazën materiale sipas projektit;
- Bëjnë ndarjen e detyrave;
- Përzgjedhin veglat dhe pajisjet e punës;
- Përcaktojnë radhën e punës;
- Sistemojnë vendin e punës;
- Bëjnë klasifikimin dhe kategorizimin e pllakave, blloqeve të granitit, mermerit dhe gurëve të tjerë;
- Përzgjedhin gurin sipas projektit;
- Kryejnë thyerjen, copëtimin e shkëmbinjve gurorë, pllakave apo blloqeve të gurit;
- Bëjnë prerjen e gurit sipas projektit;
- Modelojnë figura apo forma të ndryshme në gurë ose pllaka guri;
- Kryejnë sharrime, shpime me turjelë dhe operacionet e tjera të nevojshme;
- Bëjnë prerje dhe gdhendje të shkronjave, figurave ose dizajneve në blloqe prej guri të përdorura për monumente, pllaka përkujtimore, për veshje dekorative të mureve në ndërtesa etj.;
- Vendosin, ngjitin shkronjat, figurat ose dizajnet në blloqe prej guri të përdorura për monumente, pllaka përkujtimore, për veshje dekorative të mureve në ndërtesa etj.;
- Vendosin gurët për ngritjen e monumenteve dhe pllakave përkujtimore;
- Bëjnë skalitjen e gurit;
- Kryejnë lëmimin e gurit;
- Kryejnë lustrime të gurit, mermerit;
- Kryejnë riparime dhe zëvendësime të gurëve në ndërtesa të vjetra, kisha dhe monumente;
- Presin mermerin me makineri sipas projektit;
- Lustrojnë mermerin me makineri;
- Kryejnë lëmimin e mermerit;
- Nivelojnë rrugën me tokma (për ndërtimin e kalldrëmeve);
- Hedhin një shtresë të thatë rëre;
- Montojnë kunetat anësore për kullimin e ujit;
- Vendosin kuotat e kalldrëmit;
- Vendosin rreshtin e parë (qendror) me gur e llaç;
- Vendosin modinat;
- Vendosin gurët e kalldrëmit, duke i hedhur rërë me çimento çdo 3-4 rreshta;
- Kontrollojnë vazhdimisht nivelin;
- Japin garanci për punimet;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik në punë dhe të ruajtjes së mjedisit;
- Bëjnë preventive për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një kualifikimi profesional për këtë profesion;
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një gurgdhendës, prerës guri dhe skalitës mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Ndjekja e shkollës së lartë, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin inxhinier ndërtimi, arkitekt, skulptor, etj.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë gurgdhendësit, prerësit të gurit dhe skalitësit i duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: gurskalitës, shtrues rrugësh me gurë (kalldrëmesh), punues mermeri për qivure, varresh, gdhendës-vendosës monumentesh, etj.
Profesionet në këtë grup
- Birues guri
- Çarës guri
- Copëtues guri
- Gdhendës-vendosës monumentesh
- Gurlatues për monumente
- Gurskalitës
- Lëmues graniti
- Lëmues guri
- Lëmues mermeri
- Lëmues pllakash shkrimi
- Nivelues guri
- Përfundues guri
- Përgatitës guri
- Prerës gurësh për shkrime
- Prerës guri
- Prerës rrasash guri
- Punëtor krahu guri
- Punues mermeri
- Punues mermeri për qivure/varresh
- Rrafshues guri
- Seleksionues guri
- Shtrues rrugësh me gurë
- Restaurues guri dhe skulpture

