5153Administrator ndërtesash

Grup njësi · 3 profesione

Përshkrimi

Administratori i ndërtesave organizon, mbikëqyr dhe kryen funksionet e kontrollit të mirëmbajtjes së ambienteve të brendshme dhe të jashtme të ndërtesave. Kontrollon dhe merr masat e duhura për funksionimin normal të pajisjeve elektrike, furnizimit me ujë, kontrollon mirëfunksionimin e sistemeve të alarmeve, të sistemit video etj.

Detyrat kryesore

  • Kujdesen për heqjen e mbetjeve dhe mbeturinave në ambientet përreth ndërtesave;
  • Kontrollojnë mënyrën dhe cilësinë e pastrimit në ambientet e jashtme dhe të brendshme të ndërtesave;
  • Kujdesen për riparimin e çelësave dhe drynave të hyrjes qendrore të ndërtesave;
  • Marrin masa për fshirjen e grafiteve dhe ngjyrosjeve të tjera mbi muret të ndërtesave;
  • Njoftojnë elektricistët për probleme të mundshme me instalimet elektrike;
  • Sigurojnë që paneli i kontrollit të sahateve elektrikë të jetë në gjendjen e duhur;
  • Kujdesen për funksionimin normal të kabllove të përbashkëta televizivë e kompjuterikë;
  • Inspektojnë pajisjet e furnizimit me ujë dhe njoftojnë riparuesit përkatës për ndërhyrjet e duhura;
  • Kujdesen për gjendjen e përgjithshme të ndërtesave dhe ambienteve përreth tyre;
  • Zbatojnë rregullat në mbrojtje të mjedisit dhe shëndetit të njerëzve;
  • Zbatojnë rregullat e etikës në vendin e punës;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik në punë.

Kërkesat

  • Niveli i mesëm i shkollimit është më se i mjaftueshëm.
  • Të njohë e të zbatojë masa parandaluese në trajtimin e ndërtesave dhe ambienteve përreth.
  • Të ketë aftësi të organizojë njerëzit në të gjithë llojet e kushteve të motit.
  • Të ketë njohuri të plota mbi mënyrën e kontrollimit të ndërtesave dhe të verifikojë rastet e mundshme të vandalizmit.
  • Të ketë njohuri mbi veglat e punës që përdoren në riparime të lehta që nuk kërkojnë aftësim ekspertizë të nivelit të lartë.
  • Të njohë dhe të inkurajojë zbatimin e rregullave sanitare në heqjen e mbeturinave.
  • Të njohë procedurat e trajtimit dhe mirëmbajtjes në rastet e përdorimit të pajisjeve elektrike.
  • Të njohë e të zbatojë procedurat në raste të bllokimit të ujërave të zeza dhe të bardha.
  • Të jetë i/e shkathët në komunikim dhe i aftë fizikisht për të kryer profesionin e administratorit të ndërtesave.

Informacion shtesë

  • Trajnimet apo kualifikimet e mëtejshme japin përparësi për punësim.
  • Disa njohuri bazë mbi sistemin elektrik apo furnizimin me ujë, mbi mjetet dhe pajisjet që përdoren për realizimin e këtyre shërbimeve, e bëjnë më të lehtë gjetjen e vendit të punës.
  • Për të qenë e/i suksesshëm në punë, vëmendje duhet kushtuar kontrollit të përditshëm të ambienteve të brendshme dhe të jashtme të ndërtesave.
  • Në raste të caktuara të emergjencës kërkohet të punohet me orë të zgjatura dhe kjo mund të kërkojë më shumë përkushtim energji të cilat rezultojnë në të mirë të punës.
  • Për tu vetëpunësuar si aktivitet privat, kërkohet marrja e licencës sipas ligjeve në fuqi.

Profesionet në këtë grup

  • Kujdestar ndërtese
  • Administrator mirëmbajtjeje për ndërtesa
  • Kujdestar ndërtese në institucionet fetare

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye