5132Banakierë
Grup njësi · 2 profesione
Përshkrimi
Banakieri përgatit dhe kryen shërbimin e pijeve të ngrohta ose të ftohta, si dhe të produkteve të tjera të banakut në vende tregtare, në bare, restorante, klube, institucione, në bordet e anijeve dhe në trenat e udhëtarëve duke komunikuar dhe bashkëpunuar me të tjerët. Ai bën matje dhe peshime të ndryshme me masat përkatëse dhe kryen inventar të mallrave dhe parave në njësinë e vet të shërbimit. Ai mund të punësohet në kompani shërbimesh tregtare, në bare, restorante, klube, institucione, në bordet e anijeve dhe në trenat e udhëtarëve apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Veshin uniformën dhe bëjnë parapërgatitje vetjake higjieno-sanitare;
- Pastrojnë dhe përgatitin vendin e punës;
- Kontrollojnë dhe përgatitin mjetet e punës;
- Vënë në punë aparatet e duhura që do të përdoren gjatë kohës së punës (ekspres etj.);
- Bëjnë inventarizimin e mallit;
- Kryejnë kontrolle për cilësinë e produkteve të nxjerra, skadencën e tyre;
- Hartojnë kërkesën për furnizimet e duhura;
- Bëjnë furnizimet e duhura me fletë shoqërimi dhe fatura përkatëse;
- Parapërgatitin asortimentet e duhura për produktet që do të shërbejnë gjatë ditës;
- Bëjnë furnizime të çastit në se është e nevojshme;
- Përgatitin pijet e ngrohta sipas recetave të kërkuara (kafe, çaj, kakao etj.);
- Përziejnë përbërësit për të përgatitur kokteje të ndryshme sipas kërkesave të klientit;
- Bëjnë matje dhe peshime të ndryshme me masat përkatëse;
- Bëjnë ruajtjen e pijeve dhe produkteve të tjera ushqimore në kushtet teknike dhe frigoriferike (freski) të kërkuara;
- Përgatitin dhe shërbejnë pije alkoolike dhe jo alkoolike në një bar;
- Lajnë frutat;
- Shtrydhin frutat me pajisjet përkatëse;
- Bëjnë përzierje të ndryshme lëngjesh;
- Përgatitin lëngje frutash sipas porosisë së marrë nga kamerieri apo klienti;
- Shërbejnë pijet me akull ose jo sipas kërkesës së klientit;
- Shërbejnë ushqime apo produkte të tjera ushqimore për klientët në bar;
- Përdorin gotat e duhura për llojet e ndryshme të pijeve;
- Pastrojnë gotat, filxhanët dhe mjetet e tjera të punës të përdorura;
- Pastrojnë pajisjet e punës dhe i lënë ato në gatishmëri për punë;
- Kontrollojnë faturat e pagesave për shitjet e bëra, evidencat e ndryshme;
- Bëjnë bilancin e hyrje-daljeve në njësinë e shërbimit;
- Realizojnë detyra të ngjashme;
- Marrin masa për kufizimin e problemeve në lidhje me teprimin në pije (si p.sh. bind konsumatorët për të ndaluar pijen e mëtejshme);
- Koordinojnë punën me kolegët për shërbim në kohë dhe me cilësi të klientit;
- Komunikojnë me kolegët dhe klientin;
- Zbatojnë rregulloret e njësisë së shërbimit dhe urdhrat e ditës;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
- Bëjnë preventive për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të ketë një eksperiencë paraprake në këtë fushë.
- Të jetë i/e aftë fizikisht dhe mendërisht.
Informacion shtesë
- Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor në banak. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë nga punëtor në banak në ndihmës banakierë dhe banakier. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një banakier mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse. Me ndjekjen e një shkolle të lartë si dhe diplomimin e tij në fushën e Mikpritjes dhe Turizmit arrin në nivelin e manaxherit të pijeve dhe ushqimit.
- Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: banakier për kokteje, pije të ngrohta etj.
- Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Banakier
- Barist/e

