5131Kamarierë
Grup njësi · 10 profesione
Përshkrimi
Kamarieri shërben ushqim dhe pije në tavolina e në vende të tjera ngrënie, në bare, restorante, në institucione si dhe në bordet e anijeve apo në trena pasagjerësh. Ai pret dhe shoqëron klientin duke ndihmuar sistemimin e tij në tavolinë, merr porositë nga klienti dhe ja jep këtë porosi personelit të kuzhinës apo të barit, me faturat përkatëse. Kamarieri pastron dhe rregullon tavolinën duke e lënë atë në gjendje të gatshme, si dhe kontrollon faturat e pagesave të bëra duke i dorëzuar ato në arkën përkatëse. Ai mund të punësohet në bare, restorante, në institucione, në bordet e anijeve në kompani shërbimesh të këtyre artikujve apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Veshin uniformën dhe parapërgatiten për punë;
- Parapërgatitin tavolinat duke shtruar mbulesat, set pjatash, lugësh, pirunësh, thikash dhe elemente të tjerë zbukurues;
- Komunikojnë me kuzhinën dhe barin për produktet që do të shërbehen;
- Presin, përshëndesin dhe i urojnë mirëseardhjen klientit;
- Shoqërojnë klientin duke ndihmuar sistemimin e tij në tavolinë;
- Prezantojnë, paraqesin menytë e ushqimeve dhe pijeve;
- Japin informacion shtesë në se është e nevojshme për produktet ushqimore të gatuara apo pijet që mund të shërbehen;
- Këshillojnë klientin në zgjedhjen e ushqimit dhe pijeve;
- Këshillojnë klientin në zgjedhjen e verës;
- Shërbejnë pijet e kërkuara dhe bukën (restorante) duke i lënë kohën e duhur klientit për të parë menytë;
- Marrin porosinë e klientit duke e përsëritur atë para tij, për t’u siguruar që është marrë saktë;
- Japin porosinë e marrë nga klienti personelit të kuzhinës apo të barit, me faturat përkatëse;
- Vendosin setet e duhura të pjatave, lugëve, pirunëve, thikave sipas kërkesës së bërë nga klienti;
- Shërbejnë ushqimin dhe pijet;
- Ndjekin me shikim tavolinën në se ka ndonjë porosi apo kërkesë tjetër;
- Shërbejnë me pije të ngrohta / ftohta, pije alkoolike dhe joalkoolike në bare dhe restorante;
- Komunikojnë me kolegët për të siguruar shërbimin në kohë dhe me cilësi;
- Pastrojnë tavolinën dhe kthejnë enët në kuzhinë apo në banak;
- Ofrojnë menynë për desert ose pije të ngrohta (në restorant);
- Hartojnë faturën dhe ia paraqesin atë klientit;
- Kryejnë marrjen e pagesës së faturës;
- Përshëndetin dhe përcjellin klientin;
- Bëjnë rezervime tavolinash kur këto kërkohen nga klientët;
- Pastrojnë dhe rregullojnë tavolinën duke e lënë atë në gjendje të gatshme;
- Kontrollojnë faturat e pagesave të bëra dhe bëjnë dorëzimin në arkë;
- Bëjnë rakordimin e faturave me kuzhinën apo banakun;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
- Bëjnë preventiva për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë.
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të ketë një eksperiencë paraprake në këtë fushë.
- Të jetë e/i aftë fizikisht dhe mendërisht.
- Të njohë gjuhë të huaja.
Informacion shtesë
Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës kamarier. Me fitimin e eksperiencës dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin kamarier. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një kamarier mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në kryekamerier, drejtues në hotele dhe restorante. Me ndjekjen e një shkolle të lartë si dhe diplomimin e tij në fushën e Mikëpritjes dhe Turizmit arrin në nivelin e manaxherit të pijeve dhe ushqimit. Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: kamarier për verë, kamarier në bare, kamarier në restorante.
Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrimi për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Kamarier
- Kamarier në restorant.
- Kamarier për bankete
- Kamarier për dasma
- Kamarier për hotele
- Kamarier për verë
- Krye kamarier
- Shërbyes në anije
- Shërbyes në mensë
- Shërbyes në vagonët e trenit

