5111Shoqërues dhe administrues udhëtimesh (stjuardesat)
Grup njësi · 4 profesione
Përshkrimi
Shoqëruesi dhe administruesi i udhëtimeve administron dhe siguron komoditetin dhe sigurinë e pasagjerëve gjatë udhëtimeve, siguron ushqime, pije dhe shërbime të tjera personale, kryesisht në transportin me avion.
Detyrat kryesore
- Kontrollojnë biletat dhe sigurojnë vendin e rezervuar në avion/anije të pasagjerëve;
- Njoftojnë dhe demonstrojnë sigurinë dhe procedurat e emergjencës si përdorimin e oksigjenit, maskat mbrojtëse, rripat e sigurimit dhe xhaketat e shpëtimit në raste nevoje;
- Gjatë udhëtimit, shërbejnë ushqime dhe pije të parapërgatitura dhe mbledhin paratë nga blerjet e pasagjerëve;
- Kontrollojnë dhe sigurojnë batanije, materiale për lexim dhe mjete të tjera të mjaftueshme për udhëtim;
- Kujdesen për nevojat e përgjithshme dhe komoditetin e pasagjerëve duke i sqaruar dhe përgjigjur pyetjeve të udhëtarëve;
- Sigurojnë mbajtjen e pastër të kabinave gjatë udhëtimit;
- Ndihmojnë udhëtarët gjatë udhëtimit, në raste emergjente si evakuim ose ulje emergjente të avionit;
- Sigurojnë gjendjen funksionale të kutisë së ndihmës së shpejtë për udhëtarët në avion ose anije;
- Japin informacione udhëtarëve në lidhje me motin, lartësitë, rrugët, procedurat emergjente, kohën e udhëtimit, etj;
- Njoftojnë pasagjerët për ndalesën/uljen dhe nisjen e mjetit të udhëtimit;
- Përcaktojnë asistencë të veçantë për fëmijë, të moshuar dhe persona me aftësi të kufizuar;
- Zbatojnë rregullat e mbrojtjes se mjedisit;
- Zbatojnë rregullat e etikës në vendin e punës;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik në punë.
Kërkesat
- Të ketë minimalisht arsimin e mesëm.
- Të jetë individ e/i orientuar drejt ofrimit të shërbimeve dhe ndihmës ndaj njerëzve.
- Të ketë aftësi të mira komunikimi me njerëzit.
- Të kuptojë drejt reagimet e njerëzve.
- Të japë vëmendje të shtuar bisedave dhe reagimeve të pasagjerëve.
- Të ketë aftësi të reagojë pa krijuar panik , në raste kur diçka nuk shkon mirë.
- Të njohë dhe të zbatojë parimet e shërbimeve ndaj klientit.
- Të ketë njohuri bazë për çështjet e sigurisë së udhëtimit dhe sigurisë lokale e kombëtare.
- Të ketë njohuri në fushën e mjekësisë, sidomos në ndihmën e shpejtë.
Informacion shtesë
- Sa më tepër dije, kulturë e mirësjellje të ketë individi, aq më i lehtë bëhet punësimi.
- Njohja e gjuhës së huaj ( anglisht apo gjuhë të tjera) përbën vlerë të shtuar në punësim.
Profesionet në këtë grup
- Shoqërues në aeroport.
- Shoqërues në anije
- Shoqërues në fluturim
- Shoqërues për turistë në udhëtime me autobus.

