4222Recepsionistë në hotele
Grup njësi · 2 profesione
Përshkrimi
Recepsionisti në hotel merret me pritjen e klientit, akomodimin dhe përcjelljen e tij nga hoteli duke bërë regjistrimin e klientit, caktimin e dhomës, dhënien e çelësave të dhomës, rezervime dhomash, mbajtjen e inventarit të dhomave në dispozicion, duke dhëne informacione lidhur me shërbimet hoteliere dhe informacione të tjera social kulturore. Ai përgatit faturat dhe kryen marrjen e pagesave përkatëse. Ai mund të punësohet në hotele, organizata të shërbimeve hoteliere apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Mirëpresin klientët në hotel;
- Mbajnë inventarin e dhomave në dispozicion;
- Regjistrojnë klientët e ardhur;
- Caktojnë dhomën sipas kërkesave të bëra;
- Japin çelësat e dhomës;
- Shoqërojnë klientët në dhomat përkatëse;
- Japin informacione në lidhje me shërbimet hoteliere dhe shërbime të tjera në komunitet;
- Japin informacione të ndryshme social-kulturore klientëve ose broshura të ndryshme informative;
- Sigurojnë informacione në lidhje me disponueshmërinë e strehimit dhe bëjnë rezervime dhomash apo aktivitetesh hoteliere;
- U përgjigjen kërkesave të klientëve për shërbimet e mirëmbajtjes si dhe të ankesave të tyre;
- Komunikojnë me kolegë të sektorëve të mirëmbajtjes në raport me problemet apo ankesat e bëra;
- Hartojnë dhe kontrollojnë faturat e llogarive duke përdorur sisteme të kompjuterizuara ose manuale;
- Pranojnë dhe përcjellin mesazhe personave të duhur duke përdorur telefonin ose centralin telefonik;
- Rishikojnë shënimet përkatëse për klientët, për oraret e nisjes apo kërkesa të tjera;
- Kryejnë marrjen e pagesës së faturave;
- Përcjellin klientët duke dhënë ndihmën e duhur për transport ose kërkesa të tjera të tyre;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit;
- Bëjnë preventiv për shërbimet e ndryshme që realizohen në njësinë e biznesit;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i një shkolle profesionale në këtë fushë;
- Të ketë kryer një kurs formimi profesional për këtë profesion.
- Të ketë një eksperiencë paraprake në këtë fushë
- Të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht.
- Të zotërojë dy gjuhë të huaja
Informacion shtesë
- Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës punëtor. Me eksperiencë dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një recepsionist në hotele mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në manaxheri në një hotel.
- Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrim për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit.
Profesionet në këtë grup
- Recepsionist në hotele
- Sportelist në hotele

