3314Asistentë profesionistë të statistikës, matematikës dhe përllogaritjeve financiare
Grup njësi · 4 profesione
Përshkrimi
Asistenti profesionist i statistikës, matematikës dhe përllogaritjeve financiare asiston në hulumtim e teorive matematikore ose statistikore duke ndihmuar në planifikimin, grumbullimin, përpunimin dhe paraqitjen e të dhënave statistikore, matematikore ose aktuariale dhe në kryerjen e operacioneve të tjera të ngjashme me to. Ai, zakonisht punon nën mbikëqyrjen e statisticienëve, matematikanëve dhe aktuarëve, duke zhvilluar dhe aplikuar teknika matematikore ose statistikore për zgjidhjen e problemeve në fusha të tilla si shkenca ekzakte, inxhinieri, biznesit dhe shkencave shoqërore. Ai aplikon teori të matematikës, statistikës, probabilitetit dhe teori të riskut për të vlerësuar ndikimet e mundshme financiare të ngjarjeve të ardhshme. Ai mund të punësohet në universitetet, në institucione shtetërore, në institucione bankare, në kompani sigurimesh, në shoqatat profesionale, si dhe organizata shkencore, inxhinierike dhe konsulente apo të vetëpunësohet.
Detyrat kryesore
- Asistojnë në planifikimin dhe realizimin e llogaritjeve matematikore dhe statistikore;
- Kryejnë vlerësime të detajuara të sasive dhe kostove të materialeve dhe punës së nevojshme për regjistrime statistikore dhe veprime të tjera në anketa e sondazhe të ndryshme studimi;
- Ndihmojnë mbledhjen dhe përcjelljen e të dhënave nga burime të ndryshme, për t’u përdorur e shqyrtuar nga mbikëqyrësit apo hulumtuesit në përgatitjen e draft raporteve;
- Asistojnë në plotësimin e formularëve të anketave statistikore;
- Kujdesen për shpërndarjen dhe grumbullimin e raporteve të anketave statistikore në terren;
- Asistojnë personat e angazhuar në terren gjatë procesit të implementimit të projekteve statistikore;
- Asistojnë në planifikimin dhe kryerjen e llogaritjeve përkatëse statistikore, matematikore, aktuariale;
- Kryejnë detyra teknike lidhur me vendosjen, mirëmbajtjen dhe shfrytëzimin e regjistrave dhe mostrave për sondazhe dhe anketa të ndryshme studimore;
- Kryejnë detyra teknike lidhur me mbledhjen e të dhënave dhe kontrollin e cilësisë në regjistrimet për anketa e sondazhe të ndryshme;
- Përdorin paketa standarde kompjuterike dhe softuerë për të kryer llogaritjet matematikore kontabiliteti, aktuariale, statistikore metoda të riskut dhe të tjera të lidhura me to;
- Përpunojnë në formë grafike ose tabelare rezultatet e të dhënave statistikore, matematikore, aktuariale, të kontabilitetit dhe të tjera;
- Aplikojnë njohuri statistikore, matematikore, aktuariale, të kontabilitetit, si dhe parimet e praktikat e lidhura me to, për të identifikuar dhe zgjidhur problemet që dalin gjatë punës së tyre;
- Përpunojnë të dhëna duke përdorur softuerë statistikore për të kryer analizat e trendeve në mbështetje të aktiviteteve hulumtuese, nën mbikëqyrjen e specialistëve të fushës;
- Ndihmojnë në kontrollin dhe verifikimin e saktësisë së të dhëna të ndryshme;
- Kujdesen për unifikimin e burimeve të të dhënave statistikore me qëllim që përfundimet statistikore dhe ato kontabël të jenë të harmonizuara;
Asistent llogaritar
- Kryejnë llogaritje matematikore të ndryshme të shpenzimeve dhe shërbimeve të tjera në bazë të dokumentacionit përkatës, pasi kanë kontrolluar më parë vlefshmërinë justifikuese të tyre;
- Përgatitin fatura apo dokumente të tjera për llogaritjet e kryera sipas kërkesave të organizatës;
- Japin informacionet e duhura apo bëjnë dorëzimin e llogaritjeve në sektorin e financës përmes librave apo dokumentacioneve përkatëse;
- Raportojnë periodikisht te eprorët për dinamikën e aktiviteteve mbi punën e bërë gjatë një kohë të caktuar me shkrim ose me gojë;
- Bëjnë regjistrimin e të dhënave dhe rakordimin me degën e financës apo bankës;
- Përpunojnë grafikisht apo në forma të tjera statistikore të gjithë treguesit e kërkuar;
- Prodhojnë informacione ditore, javore, mujore dhe vjetore sipas kërkesës dhe nevojave të organizatës nën mbikëqyrjen e specialistëve përkatës;
- Bashkëpunojnë me të tjerë për sigurimin e të dhënave statistikore, për të mbledhur dhe shkëmbyer informacione;
- Evidentojnë probleme që dalin nga veprimtaria e përditshme dhe propozojnë zgjidhjet personave përgjegjës;
- Mbikëqyrin punëtorë e tjerë në mbështetje të veprimeve statistikore dhe kërkimore;
- Raportojnë te eprorët për veprimtarinë e kryer;
- Marrin udhëzime nga profesionistët;
- Përditësojnë njohuritë në mënyrë të vazhdueshme;
- Kryejnë arkivimin, kopjimin dhe ruajtjen e dokumentacionit ligjor si kontrata, raporte vlerësimi, fatura, memo/njoftime, shënime dhe të tjera në formatin fizik dhe elektronik (soft-copy dhe hard-copy);
- Respektojnë politikat e brendshme dhe procedurat e hartuara nga organizata;
- Zbatojnë kodin e etikës profesionale;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet të ketë diplomë bachelor apo kualifikime të nevojshme konform kuadrit ligjor në fuqi;;
- Të jetë i aftë mendërisht.
Informacion shtesë
- Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës. Me eksperiencë dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin nëpunës i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale dhe teknike apo trajnimit nëpërmjet punës, një asistent profesionist i statistikës, matematikës dhe përllogaritjeve financiare mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel matematikanit, staticienit, aktuarit etj. Ndjekja e kualifikimeve përkatëse, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni në nivelin matematikanit, ekonomistit .
- Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: asistent aktuarial, asistent llogaritar, asistent matematike, asistent statistike etj.
Profesionet në këtë grup
- Asistent llogaritar
- Asistent aktuarial
- Asistent matematike
- Asistent i statistikave

