3313Asistentë kontabilistë

Grup njësi · 5 profesione

Përshkrimi

Asistenti/e kontabilist/e përfshihet në regjistrimin e transaksioneve financiare të një organizate private apo publike, në bazë të standardeve kombëtare/ndërkombëtare të kontabilitetit sipas instruksioneve të kontabilistit mbikëqyrës. Ai/ajo verifikon saktësinë, plotësinë dhe integritetin e të dhënave të marra nga dokumentet mbështetëse, si kontrata, fatura, urdhër pagese, etj. dhe regjistron debitimet apo kreditimet në llogaritë përkatëse. Asistenti/e kontabiliste rakordon kartelat e klientëve, furnitorëve, bankës, arkës dhe mbyll veprimet rregulluese duke përdorur programe kompjuterike të përshtatshme për mbajtjen e kontabilitetit, si dhe bën të mundur gjenerimin e të dhënave nga programi dhe dorëzon raporte të ndryshme kontabël që do të shërbejnë për analizë nga mbikëqyrësi i tij/saj. Ai/ajo është përgjegjës për arkivimin, kopjimin dhe ruajtjen e dokumentacionit origjinal sipas procedurave të brendshme të organizatës. Mund të punësohet në organizata të shërbimeve financiare, kontabiliteti, konsulencë fiskale, brenda çdo lloj aktiviteti të ndërmarrjeve që përmbajnë brenda strukturës organizative të tyre një departament kontabël dhe/apo financiar, gjithashtu mund regjistrohet si i vetëpunësuar.

Detyrat kryesore

  • Asistojnë në regjistrimet kontabël në sistemin informativ, programin e kontabilitetit të përdorur nga organizata;
  • Regjistrojnë të gjitha transaksionet financiare të një organizate që impaktojnë bilancin, pasqyrën e të ardhurave dhe shpenzimeve, kapitalin, pasqyrën e fluksit të parave etj.;
  • Verifikojnë saktësinë, plotësinë dhe integritetin e të dhënave nga dokumentacioni mbështetës dhe shënimeve që kanë të bëjnë me pagesat, faturat dhe transaksionet tjera financiare;
  • Zgjidhin problemet që dalin gjatë punës, duke aplikuar njohuritë e tij personale, eksperiencën e fituar gjatë ushtrimit të detyrës dhe instruksionet e marra;
  • Marrin pjesë në inventarizimin e aktiveve të organizatës dhe pas identifikimit të tyre, procedojnë me regjistrimet kontabël të tyre dhe me rregullimet përkatëse;
  • Përgatitin regjistrin e detyrimeve për pagesë me detajet e kreditorëve dhe kryerjen në kohë të të gjitha detyrimeve;
  • Kryejnë rakordimin e llogarive të pagueshme dhe llogarive të arkëtueshme me palët e treta, në periudha të caktuara kohore, duke ndjekur ecurinë e pagesave të klientëve dhe të organizatës;
  • Përgatitin listëpagesën e punonjësve të organizatës duke llogaritur të gjitha detyrimet e zbritshme për nxjerrjen e pagës neto;
  • Përgatitin librin e blerjeve dhe të shitjeve;
  • Kryejnë deklarimet online në sistemin e tatimeve sipas kuadrit ligjor tatimor në fuqi; (të librave të blerjes dhe shitjeve, TVSH-së, listëpagesës, kontributet shoqërore dhe shëndetësore, tatimi i të ardhurave personale, tatimi fitimi dhe tatim fitimi i thjeshtuar, tatimi i mbajtur në burim, deklarata vjetor e të ardhurave etj.);
  • Gjenerojnë urdhër-pagesat për shlyerjen e detyrimeve nga sistemi i tatimeve;
  • Plotësojnë dhe dërgojnë për miratim urdhër xhirimin bankar;
  • Kryejnë pagesat bankare për llogari të palëve të treta;
  • Rakordojnë bankën dhe arkën;
  • Raportojnë tek mbikëqyrësi i tij (manaxheri, kontabilisti) për kryerjen e suksesshme të detyrave ;
  • Nxjerrin raporte të gjeneruara nga sistemi kontabël për rishikim nga mbikëqyrësi i tij;
  • Komunikojnë me personat përgjegjës për raportime dhe problemet e mundshme;
  • Ekstraktojnë raporte të rregullta dhe periodike sipas kërkesave të furnitorëve dhe/apo të klientëve;
  • Përgatitin informacione kontabël për t’i ndihmuar manaxherët në planifikim, buxhetim, vlerësim të performancës apo vendimmarrje;
  • Kryejnë arkivimin, kopjimin dhe ruajtjen e dokumentacionit ligjor si kontrata, fatura, memo/njoftime, shënime dhe të tjera në formatin fizik dhe elektronik (soft-copy dhe hard-copy);
  • Respektojnë politikat e brendshme dhe procedurat e hartuara nga organizata;
  • Zbatojnë kodin e etikës profesionale;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

a( Zakonisht kërkohet të ketë diplomë tre vjeçare por për pozicione të caktuara mund të kërkohen kualifikime konform kuadrit ligjor në fuqi;

  • Të ketë kryer një kurs profesional për përdorimin e programeve kompjuterike dhe të jetë i aftë të përdor programe kontabël; (si p.sh. Finance 5, Alpha, Windows XP, Microsoft Office etj.);
  • Të jetë i aftë mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës. Në bazë të viteve të eksperiencës dhe/apo kualifikimeve shtesë mund të kalojë në nivelin e kontabilistit dhe shef kontabiliteti. Më pas nëpërmjet eksperiencës në punë dhe manaxhimit të grupeve të punës një asistentë kontabilistë mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës në nivel Drejtor Kontabiliteti/Finance.

Asistenti kontabilist mund të ndjekë trajnimet e zhvilluara nga Urdhri i Kontabilistëve të Miratuar dhe Urdhrit te Ekspertëve Kontabël dhe në bazë të viteve të eksperiencës të arrijë titujt profesionalë si Kontabël i Miratuar dhe/ose Ekspert Kontabël.

Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: Legjislacion tatimor, Standardet Kombëtare të Kontabilitetit dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar, Hartimi i pasqyrave financiare, Certifikimi i pasqyrave financiare, Analizë biznesi dhe këshillim etj.

Profesionet në këtë grup

  • Llogaritar
  • Llogaritar që mban libër llogarie
  • Normist
  • Asistent kontabilist për Standardet Kombëtare të Kontabilitetit dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar
  • Asistent kontabilist për hartimin e pasqyrave financiare

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye