3144Teknikë peshkimi
Grup njësi · 5 profesione
Përshkrimi
Tekniku i peshkimit kryen marrjen e kampioneve peshkorë në të gjitha kategoritë ujore për qëllime matjeje, peshimi, përcaktimin e llojeve sipas specieve, përcaktimin e sekseve dhe të stadeve të maturimit, regjistrim i të dhënave, përcaktim i zonave peshkore me rëndësi ekonomike dhe përpunim i rezultateve për llojet e marra në konsideratë. Ai vlerëson situatën e përgjithshme peshkore, si për pellgjet e rritjes artificiale ashtu edhe për fermat bregdetare. Tekniku i peshkimit interpreton hartën e peshkimit në det me zonat e gjuetisë, si dhe në ato me interes, sipas periudhave të ndryshme të vitit. Ai monitoron ujërat e brendshme dhe ato detare për kërkime laboratorike duke ruajtur materiale, specimenë, kampione dhe duke dokumentuar rezultatet e nxjerra për interes statistikor dhe didaktik. Tekniku i peshkimit mund punësohet në sektorë të ndryshëm të fushës së rritjes dhe mbarështimit të peshqve si në ujëra të ëmbla ashtu edhe ato bregdetare apo në laboratorë kërkimorë-shkencorë të fushës së akuakulturës dhe peshkimit.
Detyrat kryesore
- Përgatitin materialet dhe pajisjet për eksperimente, teste dhe analiza;
- Mbledhin dhe përgatitin kampione ose pjesë të ihtiofaunës detare për eksperimente, teste dhe analiza;
- Marrin kampione peshkore nga ekonomitë e rritjes, pikat e zënies apo magazinimit, anijet e peshkimit dhe fermat bregdetare;
- Asistojnë në kryerjen e eksperimenteve, testeve dhe analizave, duke përdorur metoda dhe teknika të ndryshme, siç janë: mikroskopi, sonda e klorofikës, multiparametri, spektroskopi, etj.;
- Analizojnë ujërat për parametrat e mëposhtëm: Tº, Ph, O2, Saliniteti, Turbiditeti,Kondutiviteti, DTS, NO2, NO3, NH4, P, Fe, Cu, Klorofila A etj.;
- Bëjnë regjistrimin e të dhënave të grumbulluara;
- Identifikojnë mikro-organizmat patogjenikë, parazitëve, kërpudhat etj. të dëmshme për organizmat ujore dhe peshqit;
- Asistojnë në gjetjen e metodave të kontrollit;
- Monitorojnë ujërat territoriale, si ato të brendshme (liqene, rezervuare, laguna dhe lumenj) ashtu edhe ato detare në Adriatik dhe në Jon;
- Analizojnë produkte për të caktuar dhe ruajtur standardet e cilësisë;
- Evidentojnë zonat peshkore me rëndësi ekonomike;
- Realizojnë ose mbikëqyrin programe operative në fermat e shtimit, zhvillimit dhe të kultivimit për konsum apo për qëllime studimi të programeve të prodhimit;
- Përgatitin dhe japin ushqim peshqve në të gjitha stadet e zhvillimit të tyre;
- Realizojnë vaksinimin e peshqve nën mbikëqyrjen e veterinerit;
- Kryejnë mbarështimin artificial të peshqve;
- Kryejnë peshkëzimin e pellgut ose fermës sipas udhëzimeve të biologut;
- Realizojnë sistemime (plehërim, gëlqerëzim, rregullime të vogla në argjinaturë, mbushje- zbrazje me ujë, etj.) të pellgjeve në ekonomi;
- Analizojnë kampione të peshqve për cilësi, pastërti dhe të normës së zhvillimit;
- Realizojnë matje, peshim, përcaktim lloji, seksi dhe stadi të maturitetit për qëllime studimore në kampionet e marra;
- Bëjnë përpunimin e rezultateve nga kampionët dhe të dhënat e marra;
- Mbledhin të dhënat dhe vlerësimet e sasive dhe kostove të materialeve dhe punëtorisë për projekte të fushës;
- Organizojnë punën për realizimin e mirëmbajtjes dhe riparimit të pajisjeve kërkimore shkencore;
- Mbikëqyrin punëtorët e tjerë.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet përfundimi i studimeve bachelor në fushën e akuakulturës dhe peshkim, në merceologji, teknologji ushqimore, zooteknikë, inxhinieri mjedisi dega e ujërave ose të ketë kryer nivelin e II të kualifikimit dega peshkim;
- Preferohet të ketë përvojë pune të drejtpërdrejtë në ferma rritje ujërash të ëmbla, bregdetare ose në gjueti detare prej 5 vjetësh;
- Të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht.
Profesionet në këtë grup
- Teknik peshkimi
- Teknik peshkimi në cektësi
- Teknik peshkimi në thellësi
- Teknik peshkimi në ujërat e ëmbla
- Teknik laborant peshkimi

