3116Teknikë të inxhinierisë kimike
Grup njësi · 7 profesione
Përshkrimi
Teknikët e inxhinierisë kimike kryejnë një sërë detyrash teknike që kontribuojnë në fushën e kërkimit, projektimit, ndërtimit, operimit, mirëmbajtjes dhe riparimit të fabrikave të produkteve kimike. Puna e tyre fokusohet kryesisht në ndryshimin e gjendjes kimike, bio-kimike dhe fizike të substancave për t’i kthyer ato në një gjendje tjetër. Ata mund të punësohen në kompani private dhe shtetërore që operojnë në fusha të tilla si, farmaceutika, energjitika, trajtimi i ujërave, pijet dhe ushqimet, plastika, etj.
Detyrat kryesore
- Punojnë ngushtë me inxhinierët kimistë dhe të kontrollit për të siguruar që fabrika (ndërmarrja) operon duke dhënë maksimumin e prodhimit në mënyrë efikase;
- Skicojnë fabrikën dhe pajisjet në mënyrë të tillë që të jenë të gatshme dhe të përshtatshme për llojin e produktit që prodhohet dhe procesit teknologjik, duke marrë në konsideratë ndikimet e mundshme ekonomike dhe mjedisore;
- Zmadhojnë dhe zvogëlojnë sipas rastit proceset e prodhimit duke përfshirë këtu edhe ndryshimet e nevojshme të pajisjeve në konfigurim dhe dizajn;
- Vlerësojnë mundësitë për zmadhimin e fabrikës ose riorganizimin e saj duke zhvilluar dhe testuar modele prove;
- Skicojnë, instalojnë dhe autorizojnë linja të reja prodhimi, duke monitoruar zhvillimin e tyre dhe zgjidhjen e problemeve që mund të lindin;
- Optimizojnë prodhimin duke analizuar proceset dhe duke kryer studime mbi përshpejtimin e proceseve;
- Zbatojnë teknologjitë e reja në proceset e punës së tyre;
- Kryejnë kërkime për produkte të reja që nga faza e testimit deri në tregtimin e tyre dhe përmirësojnë linjat e prodhimit;
- Sigurohen që çështjet e sigurisë dhe shëndetit, mjedisit dhe procesit të punës merren në konsideratë në të gjitha fazat;
- Respektojnë politikat e brendshme të punës dhe procedurat e hartuara nga kompania;
- Zbatojnë kodin e etikës të miratuar nga drejtuesit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit dhe mbrojtjes së shëndetit;
- Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.
Kërkesat
- Zakonisht kërkohet të ketë diplomë tre vjeçare (bachelor); në disa raste një diplomë nga një shkollë e mesme profesionale apo pas të mesme dhe eksperiencë pune disa vjeçare në këtë profesion është gjithashtu e vlefshme.
Profesionet në këtë grup
- Inspektor sigurimi kimik
- Kontrollor inxhinieri kimik
- Teknik/inxhinieri kimik
- Teknik/inxhinieri nafte
- Teknik/inxhinieri procese kimike
- Teknik/inxhinieri e prodhimit dhe shpërndarjes së gazit natyror
- Vlerësues inxhinieri kimike

