3113Teknikë të inxhinierisë elektrike

Grup njësi · 13 profesione

Përshkrimi

Tekniku i inxhinierisë elektrike kryen detyra teknike për të ndihmuar inxhinierët në kërkime të inxhinierisë elektrike në projektime, prodhime, montime, ndërtime, operime, mirëmbajtje dhe riparime të pajisjeve elektrike, të makinave, komponentëve të tyre, objekteve dhe sistemeve të shpërndarjes nën mbikëqyrjen e inxhinierëve elektrikë. Ai/ajo mund të punësohet në kompani të ndryshme që përdorin pajisje, makineri apo sisteme elektrike, në reparte të mirëmbajtjes apo instalimeve elektrike apo të vetëpunësohet.

Detyrat kryesore

  • Sigurojnë asistencë teknike në punën kërkimore dhe nëzhvillimin e pajisjeve dhe objekteve elektrike, sistemeve të energjisë elektrike ose prototipave të testimit;
  • Hartojnë dhe përgatisin projekte të instalimeve elektrike sipas specifikimeve të dhëna të sigurisë;
  • Sigurojnë asistencë teknike në përshkrimin e projektit duke e zbërthyer atë në detaje;
  • Përgatisin vlerësime të detajuara të sasive dhe kostove të materialeve dhe punës së nevojshme për prodhimin dhe instalimin sipas specifikimeve të dhëna;
  • Monitorojnë aspekte teknike të prodhimit, shfrytëzimin, mirëmbajtjen dhe riparimine makinave dhe mekanizmave për të siguruar performancë të kënaqshme dhe pajtueshmëri me specifikimet dhe rregulloret përkatëse;
  • Zhvillojnë dhe monitorojnë zbatimin e standardeve të sigurisë;
  • Asistojnë në organizimin e punës dhe ndarjen e detyrave në bashkëpunim me inxhinierët elektrikë;
  • Kryejnë përshtatje në projekt, duke marrë paraprakisht miratimin nga inxhinierët, në rastet kur të dhënat e projektit nuk përputhen me terrenin dhe dokumentojnë këto ndryshime;
  • Kryejnë montimin, instalimin, testimin, kalibrimin, modifikimin dhe riparimin e pajisjeve elektrike për instalime të reja, nën mbikëqyrjen e inxhinierëve, duke bërë më parë verifikimin dhe piketimin në vendin ku do të punohet;
  • Bëjnë verifikimin e materialeve ndihmëse përpara se ato të montohen;
  • Kryejnë testime të sistemeve, pajisjeve, kabllove dhe lidhjeve pa dhe me tension;
  • Bëjnë kontrolle për t’u siguruar që punët e përfunduara janë në përputhje me specifikimet, rregulloret, standardet e vendosura apo të miratuara;
  • Kryejnë kontrollin për zbatimin e rregullave të sigurimit teknik, sipas rregullores, siç janë (veshja me uniformën e punës të specialistëve, mbajtja pastër e vendit të punësetj.);
  • Bëjnë organizimin e punës për riparimin e linjave të ndryshme, në rastet kur ato mund të riparohen ose zëvendësohen me të reja;
  • Bëjnë grafikun për mirëmbajtjen në kohë të linjave dhe pajisjeve;
  • Kryejnë lokalizimin e defekteve si dhe organizojnë punën për riparimin e tyre;
  • Kryejnë matjen e nevojshme, sipas rregullores së sigurimit teknik;
  • Marrin masat për të tretët, duke u lidhur me dispeçerinë qendrore, për shkëputjen e tensionit deri në riparimin e plotë të defektit;
  • Mbledhin dhe analizojnë të dhënat mbi montimet, instalimet e kryera dhe defektet e hasura gjatë punës;
  • Kryejnë plotësimin e dokumentacionit të punimeve të kryera;
  • Bëjnë plotësimin e procesverbalit për materialet e dala jashtë përdorimit.
  • Bëjnë dorëzimin e punimeve të kryera së bashku me dokumentacionin e nevojshëm.
  • Sigurojnë që pajisjet e punës të jenë në përputhje me specifikimet e projektit dhe me standardet e sigurisë;
  • Komunikojnë në mënyrë profesionale me eprorët dhe të tjerët;
  • Mbikëqyrin punëtorët e tjerë:
  • Zbatojnë rregullat e sigurimit teknik dhe të mbrojtjes së mjedisit.

Kërkesat

  • Zakonisht kërkohet të ketë diplomë tre vjeçare (bachelor); në disa raste një diplomë nga një shkollë e mesme profesionale apo pas të mesme dhe eksperiencë pune disa vjeçare në këtë profesion është gjithashtu e vlefshme;
  • Të jetë i aftë fizikisht dhe mendërisht.

Informacion shtesë

Një individ mund të hyjë në profesion si ndihmës elektricist. Me eksperiencë dhe me kualifikim shtesë mund të kalojë në nivelin punëtor i kualifikuar. Më pas nëpërmjet kualifikimit të mëtejshëm në shkollat profesionale apo trajnimit nëpërmjet punës, një teknik i inxhinierisë elektrike mund të ndërmarrë disa funksione mbikëqyrëse duke ngritur shkallët e karrierës si inxhinier apo kryeinxhinier. Ndjekja e një masteri profesional apo shkencor, çon në diplomimin e specialistëve të këtij profesioni si inxhinier elektrik me specializimet përkatëse.

Për të zhvilluar aktivitet privat (vetëpunësim) në këtë fushë duhet regjistrim për ushtrim aktiviteti si person fizik apo juridik, sipas rastit. Punonjësit në këtë profesion mund të specializohen në fushat e mëposhtme, të tilla si: mbikëqyrës në inxhinieri elektrike, teknik në inxhinieri elektrike (tensioni i lartë), teknik inxhinier i sistemeve elektrike, teknik në inxhinieri elektrike (transmetimi i energjisë elektrike), (ndriçim elektrik), (shpërndarësi i energjisë elektrike), etj.

Profesionet në këtë grup

  • Inspektor i sigurimit dhe shëndetit/kushtet e punës
  • Inspektor i sigurimit elektrik
  • Inspektor i sigurimit në punë
  • Mbikëqyrës në inxhinierinë elektrike
  • Teknik/inxhinieri elektrik (tensioni i lartë)
  • Teknik inxhinier i sistemeve elektrike
  • Teknik/inxhinieri elektrike
  • Teknik/inxhinieri elektrike (tërheqje elektrike)
  • Teknik/inxhinieri elektrike (transmetimi i energjisë elektrike)
  • Teknik/inxhinieri elektrike (ndriçim elektrik)
  • Teknik/inxhinieri elektrike (shpërndarësi i energjisë elektrike)
  • Teknik/inxhinier elektrik për monitorimin dhe automatikën
  • Teknik/inxhinier elektrik për skedarin dhe mbrojtjen rele

Shiko këtë grup në klasifikim

↑ Në krye